Deschamps: Mbappe dëshiron të bëjë më shumë
Përzgjedhësi i Francës Didier Deschamps thotë se sulmuesi Kylian Mbappe kërkon edhe më shumë nga vetja.
Ylli francez është kritikuar për paraqitjet e zbehta në këtë Kampionat Evropian, me Francën që tashmë ka avancuar deri në gjysmëfinale të “Euro 2024”.
Megjithatë, Deschamps e ka mbrojtur duke deklaruar se ylli i Real Madridit është i rrezikshëm për kundërshtarët edhe kur nuk është 100 për qind në formë.
“A nuk mendoni se tashmë ka bërë histori me atë që ka bërë deri më tani? Ai (Mbappe) dëshiron më shumë”.
“Ne bëmë gjithçka që ishte e mundur me të, me stafin mjekësor, për të qenë këtu. Gjatë përgatitjes kishte edhe një problem me shpinën, por Kylian është këtu. Edhe nëse nuk është 100 për qind, e di shumë mirë që për kundërshtarin është më e vështirë”, shtoi ai.
Mbappe tani do të ketë mundësinë për ta dëshmuar vetën në gjysmëfinale, me Francën që e pret një përballje tejet e vështirë ndaj skuadrës më favorite deri më tani, Spanjës.
Në rast që avancojnë në finale, atëherë “Gjelat” do të kenë punë me fituesin e gjysmëfinales tjetër Holandë – Angli.