“Deri në pikë e fundit të gjakut” – Laporta zotohet se Barcelona do ta mbrojë veten ndaj skandalit me pagesa të gjyqtarëve
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, është zotuar se do ta mbrojë klubin me çdo kusht deri në çastet e fundit, pas shpërthimit të skandalit me pagesa të gjyqtarëve, apo siç njihet ndryshe ‘Rasti Negrerira’.
Katalunasit janë aktualisht nën hetim si nga autoritetet spanjolle ashtu edhe nga UEFA pasi kanë paguar një kompani në pronësi të një zyrtari të lartë të gjyqtarëve, Enriquez Negreira, ish-zëvendëspresident i Komitetit Teknik Spanjoll të Gjyqtarëve, i cili mori rreth 7.3 milionë euro nga Barça gjatë një periudhe gati 20-vjeçare.
Deri më tani, Barcelona ka mohuar të gjitha akuzat për mashtrim ose korrupsion. Laporta ka qenë ndër më të zëshmit brenda kampit të liderit të La Ligës, duke theksuar vazhdimisht pafajësinë e Barçës.

Laporta gjatë një fjalimi në kongresin e përkrahësve të Barcelonës të shtunën, tha: “Ata nuk kanë asgjë dhe e vetmja gjë që duan është të dëmtojnë imazhin dhe reputacionin tonë me një fushatë poshtëruese.”
"Ajo që ata po bëjnë është shumë e shëmtuar, por ne nuk luajmë me ndjenjat tona. Taktika nuk ndryshon kurrë dhe përfshin përpjekjen për të na mbytur me qëllimin e qartë për të na shtrënguar derisa ne të dorëzohemi, por ne do të mbrojmë Barçën deri në pikën e fundit të gjakut”, tha në fund presidenti Laporta.

Barcelonës iu dha një shtytje në këtë rast muajin e kaluar, kur hetuesit përcaktuan se nuk mund të provonin se pagesat e klubit ndikuan në vendimet e gjyqtarëve në fushë. Megjithatë, klubi mbetet nën hetim për një sërë shkeljesh të mundshme, duke përfshirë korrupsionin.
Laporta është zotuar të mbajë një konferencë për shtyp dhe të mbrojë plotësisht Barcelonën, por ende nuk ka shpallur një datë për këtë. Ndërkohë hetimet po vazhdojnë të zvarriten.


