Dënohet Jose Mourinho, pasi u fut në zhveshtoren e gjyqtarëve - NACIONALE

Dënohet Jose Mourinho, pasi u fut në zhveshtoren e gjyqtarëve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Trajneri i Romës, Jose Mourinho, është pezulluar për dy ndeshje, për shkak se ishte futur rrufeshëm në zhveshtoren e gjyqtarëve, pas disfatës së skuadrës së vet 2:1 kundër Cremoneses në Serie A.

Cremonese e arriti fitoren e parë të sezonit falë një goli të vonshëm të Daniel Ciofanit nga penalltia.

Mourinho, 60 vjeç, u përjashtua nga loja dy minuta brenda pjesës së dytë dhe tha pas ndeshjes se ishte provokuar nga gjyqtari i katërt.

Unë jam emocional por jo i çmendur. Për herë të parë në karrierën time një gjyqtar më ka folur në mënyrë të pajustifikueshme”, tha Mourinho.

Mourinho pretendoi se zyrtari i katërt e udhëzoi Marco Piccininin ta ndëshkonte atë me karton të kuq ka dhënë shpjegim të plotë të asaj që kishte ndodhur mes tyre.

Fatkeqësisht, zyrtarit të katërt i mungon ndershmëria për të treguar se çfarë më kishte thënë, mënyrën se si e tha dhe mënyrën se si më trajtoi, që natyrisht më nxiti të reagoj”, nënvizoi ai.

Federata italiane ka konfirmuar se Mourinho do ta vuajë një dënim me pezullim për dy ndeshjet e radhës, duke filluar me atë kundër Juventusit në fundjavë.

Dy ndeshje pezullim për Jose Mourinhon, pasi e kontestoi vendimin e gjyqtarit në mënyrë verbale dhe provokuese në fillim të pjesës së dytë dhe për shkak se në fund të ndeshjes, ai u fut në mënyrë të paautorizuar në zhveshtoren e gjyqtarëve për t’iu drejtuar gjyqtarit të katërt me reagime të tepruara”, thuhet në njoftimin e komisionit disiplinor të federatës italiane.

Përveç ndeshjes me Juventusin, Mourinho do të mungojë edhe kundër Sassuolos më 12 mars.

Kjo disfatë e ka lënë Romën në vendin e pestë, tri pikë larg vendit të dytë.

Kjo nuk është hera e parë që ish-trajneri i Interit dhe Real Madridit përjashtohet këtë sezon në Serie A.

Ai ishte përjashtuar kundër Atalantës në shtator dhe kundër Torinos në nëntor, në të dy rastet pasi kishte shpërthyer kundër vendimeve të gjyqtarëve.

Lajme të ngjashme