Mourinho pas kartonit të tretë të kuq këtë sezon: S’jam i çmendur, jam emocional
Trajneri i Romës, Jose Mourinho, u përjashtua nga loja në disfatën e skuadrës së vet kundër Cremoneses në Serie A, duke e pranuar kartonin e tretë të kuq këtë sezon.
Cremonese e arriti fitoren e parë të sezonit falë një goli të vonshëm të Daniel Ciofanit nga penalltia, për ta siguruar një triumf 2:1.
Mourinho, 60 vjeç, u përjashtua nga loja dy minuta brenda pjesës së dytë dhe tha pas ndeshjes se ishte provokuar nga gjyqtari i katërt.

“Unë jam emocional por jo i çmendur. Për herë të parë në karrierën time një gjyqtar më ka folur në mënyrë të pajustifikueshme”, tha Mourinho.
“Kur reagon në mënyrën se si reagova unë është sepse ka ndodhur diçka. Tani dua ta di nëse mund të bëj diçka nga pikëpamja disiplinore”, shtoi ai.
Mourinho pretendoi se zyrtari i katërt e udhëzoi Marco Piccininin ta ndëshkonte atë me karton të kuq ka dhënë shpjegim të plotë të asaj që kishte ndodhur mes tyre.
“Fatkeqësisht, zyrtarit të katërt i mungon ndershmëria për të treguar se çfarë më kishte thënë, mënyrën se si e tha dhe mënyrën se si më trajtoi, që natyrisht më nxiti të reagoj”, nënvizoi ai.
Kjo disfatë e ka lënë Romën në vendin e pestë, tri pikë larg vendit të dytë.
“Dua ta shoh nëse ka audio incizim nga ajo se çfarë më tha ai mua. Nuk dua të futem në faktin se ai është nga Torino, se ne do të përballemi me Juventusin dhe ai do që unë nuk jem në tribuna”.
Ai tregoi se kishte shkuar në zhveshtore të gjyqtarëve pas ndeshjes, por se gjyqtari i katërt “kishte harruar çfarë kishte thënë”.
Kjo nuk është hera e parë që ish-trajneri i Interit dhe Real Madridit përjashtohet këtë sezon në Serie A.
Ai ishte përjashtuar kundër Atalantës në shtator dhe kundër Torinos në nëntor, në të dy rastet pasi kishte shpërthyer kundër vendimeve të gjyqtarëve.