De Ligt: Me deklaratat e mia nuk e kam ofenduar Juventusin
De Ligt ka dëshiruar të qartësojë pozicionin e tij rreth deklaratave paraprake për kohën sa ishte futbollist i Juventusit, duke thënë se nuk e ka pasur ndër mend ta ofendojë klubin torinez.
Porsa u bë lojtar i Bayernit, De Ligt dha një seri deklaratash, të cilat me raste u interpretuan si të ngutura dhe ofenduese karshi Juventusit. Deklaratat në fjalë kishin të bënin me stërvitjet dhe pozicionimin në fushë.
Mirëpo, në intervistën e fundit dhënë për të përditshmen holandeze, Telegraaf, ka qartësuar të gjithë mendimet e tij rreth epokës sa ishte lojtar i Juventusit, duke thënë se ka ende vlerësim enorm për skuadrën e Max Allegrit.
Këto deklarata vijnë pasi kanë qenë një mori personash nga ambienti i Juventusit që kanë reaguar pasi kanë lexuar intervistat e tij javë më parë, ku më së shumti u veçua prononcimi i Bonuccit, i cili i gjykoi të pamatura daljet publike të mbrojtësit holandez.
Sqarimi i De Ligt
Telegraaf e mori në intervistë për numrin e sotëm të saj mbrojtësin holandez, De Ligt, ku atij iu kërkua që t'i sqaronte komentet paraprake për ish-klubin e tij, Juventus.
"Nuk ka qenë një sulm ndaj Juventus. Aspak s'ka pasur të bëjë me një gjë të tillë, sepse gjithmonë do të kem respektin më të madh për atë klub. Për mua ishte vetëm një gjë, ku kam treguar sesi askush nuk duhet të vetëkënaqet, por duhet që të jetë më kërkues - duke përfshirë veten", shpjegoi De Ligt.
Në vazhdën e intervistës ai tregoi se do të vazhdojë ta ruajë respektin edhe për ish-bashkëlojtarët të Juventusit, me të cilët ka kaluar plot tri vite.
"Nuk do të harroj kurrë ish-bashkëlojtarët e mi të skuadrës, të cilët më kanë ndihmuar shumë në zhvillimin tim si lojtar dhe njeri", ka thënë mbrojtësi i Bayern Munchen.
Ai u ble për 67 milionë euro nga Bayern Munchen, plus 10 milionë euro tjera bonuse, në rast të përmbushjes së disa sukseseve si në nivel individual, ashtu edhe në atë ekipor.
Çfarë kishte thënë De Ligt për Juventusin pasi u transferua te Bayern?
De Ligt, në një intervistë për rrjetin televiziv ESPN, kishte shpjeguar detajet rreth transferimit të dikurshëm në Juventus.
"Zgjodha të transferohesha te Juventus me idenë që do të luaja një futboll sulmues, kur atëbotë trajner ishte Maurizio Sarri. Mendoja që me të, pas asaj çfarë kishte demonstruar te Napoli dhe Chelsea, do të kishim pasur një stil loje të ngjashme me Ajax. Fatkeqësisht, pas një viti Sarri u largua", shpjegonte ai.
Mbrojtësi holandez nuk ka hezituar që të jepte disa shpjegime rreth pozicionimit që ai preferon në fushë.
"Si qendër e djathtë ndihem më mirë. Te Juventus në fillim luaja si qendër e majtë dhe ka qenë e vështirë për mua. Mandej, nga gjysma e sezonit, i kemi ndryshuar pozitat me Bonuccin. Ishim një tandem i mirë. Kemi fituar edhe titullin. Ndërkaq, në sezonin e dytë dhe të tretë jam kthyer si qendër e majtë. Nuk është se nuk dëshiroja të luaja aty, të jemi të qartë. Por, e dija që kisha më shumë siguri si qendër e djathtë", potencoi ai.
Në fund të intervistës, De Ligt kishte treguar edhe për dallimet mes Juventus dhe Ajax, në bazë të përvojës së tij.
"Në Ajax bëja presion më të madh. Merrja guximin për të rrezikuar. Ndërkaq, te Juventus ishte një formë ndryshe e të mbrojturit. Luaja më i tërhequr, sepse përgjithësisht futbolli italian ka një ritëm më të ngadalshëm", përfundoi De Ligt.


