De Jong: Gjatë verës gjithmonë kam dashur të qëndroja te Barcelona
Mesfushori teknik holandez, De Jong, është rikthyer të flasë për spekulimet gjatë verës që e lidhnin atë me një largim nga Barcelona. Në fund ai qëndroi në klub dhe është i lumtur për këtë gjë.
Së bashku me bashkëkombësin e tij, Depay, ishte emri më i përfolur për t’u larguar nga katalonasit. Mirëpo që të dy në fund vendosen që të qëndrojnë pjesë e skuadrës së Xavit.
Në rastin e De Jong, problemi krucial kishte të bënte me pagën e tij vjetore, në një moment kur drejtuesit e klubit kishin vendosur që t’i ulnin shpenzimet, bashkë me to edhe pagat e stër-mëdha të lojtarëve. Njëri nga lojtarët më të paguar është edhe De Jong.
Idea që ai ka një kontratë shumë të gjatë me Barcelonën, deri në vitin 2026, bënte që të rriteshin zërat për largim, në mënyrë që klubi të fitonte paksa infuzion ekonomik nga largimi i tij. Afati kalimtar veror përfundoi dhe ai nuk lëvizi gjetiu.
Dëshira për të qëndruar te Barcelona, përcaktuese
Gjatë një intervistës dhënë për mediet holandeze, De Jong ka folur në lidhje me të gjitha zërat që raportoheshin për të se do të largohej gjatë verës nga skuadra blaugrane.
“Gjithnjë kam dashur të qëndroj te Barcelona gjatë kësaj vere. Për këtë arsye isha i qetë gjatë kësaj periudhe verore”, potencoi ai.
Laporta edhe publikisht ka kërkuar nga De Jong që ta pranojë rishqyrtimin e kontratës, për ta riformuluar atë në bazë të gatishmërisë financiare të tanishme që ka klubi. De Jong ka thënë se idetë e klubit i ka mirëkuptuar, njësoj siç edhe pozicionin e tij.
“Klubi ka idetë e veta dhe unë i kam ato të mia. Nganjëherë ndodh të përplasen mes vete. Mirëpo gjërat kanë shkuar vërtet mirë”, theksoi De Jong.
Mesfushori holandez është në grumbullim me “tulipanët”, në prag të zhvillimit të dy sfidave përcaktuese në Ligën e Kombeve, respektivisht në grupin 5, aty ku do të luajnë në udhëtim ndaj Polonisë dhe si nikoqirë të Belgjikës. Për momentin, Holanda ka një kapital prej tre pikëve epërsi ndaj Belgjikës dhe llogaritet si favorite për t’u kualifikuar tutje – drejt gjysmëfinales së madhe të Ligës A në këtë kompeticion të ri evropian në nivel kombëtaresh.
Ndërkaq, edhe te Barcelona sezoni ka nisur relativisht mirë. Ai ka shënuar një gol në kampionat, atë kundër Cadice dhe në përjashtim të rasteve kur Xavi ka pushuar titullarët, përfshirë edhe atë – në pjesën tjetër ka qenë i paprekshëm nga formacioni bazë i skuadrës.

