De Bruyne: Haalandit mund t’i falet mospërshtatja e stilit të lojës sonë, nëse vazhdon të shënojë gola
Mesfushori i Manchester Cityt, Kevin De Bruyne, ka thënë për bashkëlojtarin e tij Erling Haaland se edhe se nuk i përshtatet stilit të ‘Qytetarëve’ ai mund ta shpëtojë skuadrën teksa shënon vazhdimisht, por se për t’u përshtatur do t’i nevojitet edhe pak kohë.
Sulmuesi norvegjez ka qenë në një formë të jashtëzakonshme me Manchester Cityn që nga transferimi i tij nga Borussia Dortmund në këtë afat kalimtar veror, duke shënuar 12 gola në të gjitha garat, përfshirë edhe dy golat në fitoren 4:0 të skuadrës së tij në ndeshjen e parë në grupe të Ligës së Kampionëve kundër Sevillës, të martën në mbrëmje.
Lidhja në fushë mes De Bruynes dhe Haalandit ka dhënë efekt të menjëhershëm edhe pse mesfushori belg thotë se ka edhe disa gjëra përpara se sulmuesi norvegjez të përshtatet plotësisht me stilin e lojës së Manchester Cityt.

“Mendoj se mënyra se si është adaptuar me ne deri më tani është vërtetë mirë. Sigurisht, përtej shënimit të golave, është edhe një pjesë tjetër e lojës për të cilën nevojitet ende adaptim”, tha fillimisht belgu pas ndeshjes me Sevillën.
“Nëse shënon kaq shumë, mund ta shpëtojë skuadrën në shumë situata të vështira. Nëse ai vazhdon të shënojë, ne e dimë se kjo është pozitive për skuadrën”, përfundoi De Bruyne.

31-vjeçari bëri një asistim fantastik në ndeshjen e fundit në Premierligë për 22-vjeçarin, i cili ishte goli i vetëm për Manchester Cityn në barazimin me Aston Villan. Gjithashtu mesfushori i njohur për lojën e tij, asistoi edhe dje në golin e parë për norvegjezin, ky i fundit që e konvertoi në gol me vetëm një prekje në vijën e golit, kështu duke çuar numrin e asistimeve në kaq pak kohë në pesë.

Pas një fitore të kënaqshme për ‘Qytetarët’ në ndeshjen e parë në Ligën e Kampionëve, tani është radha e Premierligës, ku kampioni anglez do të ketë përballë një kundërshtar mjaftë të vështirë, skuadrën e Antonio Contes, Tottenham Hotspur, ndeshje kjo që zhvillohet në Etihad Stadium këtë të shtunë.
Teksa ndeshjen e radhës në Ligën e Kampionëve e zhvillon kundër Borussia Dortmundit, në duelin e dy skuadrave që kanë fituar ndeshjet e para. Kjo ndeshje zhvillohet pas një jave dhe pritëse është Manchester City.
