Davis vazhdon pa humbje, e rrah keq Garcian me nokaut për t’ia shkaktuar humbjen e parë në karrierë
Gervonta Davis lëshoi një goditje të fortë në trupin e Ryan Garcias në raundin e shtatë, për t’i dhënë fund meçit të së shtunës, i cili ishte nja nga luftërat më të pritura ndër vite me dy boksierët amerikan që deri në këtë ndeshje nuk kishin pësuar humbje kurrë në divizionin e peshave të lehta.
Davis çoi rekordin e tij në 29 ndeshje pa humbje me të gjitha fitore, me 27 prej tyre me nokaut, ndërsa Garcia është ndalur në meçin e 24 të tij, tani me 23 fitore dhe një humbje.
28-vjeçari kishte përvojën në anën e tij dhe përveç nokautit në raundin e shtatë, ai arriti ta rrëzonte kundërshtarin e tij edhe në raundin e dytë.

24-vjeçari u detyrua të dorëzohej nga meçi edhe pas një raundi të gjashtë shumë të mirë nga ai. Garcia pas ndeshjes tha nuk po mund të merrte frymë më dhe këmbët e tij për t’u ngritur nuk po punonin.
“Nuk mund të merrja frymë më, doja të ngrihesha përsëri, por thjesht nuk mundesha. Ai më kapi mirë me atë gjuajtje.”
Ryan Garcia vs. Gervonta Davis - FullFight Highlights Knockdown Ryan Garcia pic.twitter.com/QdOx9sNjzN
— Vin Candelario (@vincandelario) April 23, 2023
Në anën tjetër Davis tha se nuk e mendoi se një goditje e tillë do ta përfundonte meçin, por e kuptoi nga lëvizjet e kokës së kundërshtarit.
“Nuk mendoja se ajo goditje do t’i jepte fund meçit, por e pashë fytyrën e tij pas goditjes. Ishte grusht i mirë, por mendova se do të ngrihej. Tentoja t’i thosha ngrihu, por ai tundi kokën që nuk po mund të vazhdonte më.”

Gervonta Davis me këtë fitore ia hap rrugën vetës për një tjetër meç me një luftëtar që nuk ka pësuar humbje ende, Devin Haney. Në fakt ky i fundit zotëron të gjithë titujt në kategorinë e peshave të lehta dhe do të përballet fillimisht në maj me ish-kampionin Vasiliy Lomachenko.