Daja: Nesër do të luajmë edhe më fort se një javë më parë për të fituar
Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja dhe mesfushori, Qëndrim Zyba, kanë mbajtur konferencën para ndeshjes së dytë kundër Sivassporit, ku trajneri nga Shqipëria tha se në këtë ndeshje duhet të bëjnë më shumë se një javë më parë për të marrë atë që presin, pra fitoren.
“Duke nisur nga fakti që të gjitha në grup kemi pikë të barabarta, tregon që nuk ka ndeshje të lehta dhe një javë më parë Sivasspor ishte ajo që kryesonte grupin së bashku me Slavia Praha dhe mendoj se ne jemi gati por se në këtë ndeshje duhet të bëjmë më shumë seç kemi bërë një javë përpara në mënyrë që të marrim atë që presim.

Sa më lartë të shkojmë, më të vështira bëhen gjërat por me mbështetjen e tifozëve nga Kosova, veçanërisht, Xhebrailat e Suharekës, mund të bëhet më e lehtë por gjithashtu mbushja e stadiumit rrit pritshmërinë që do të thotë se përgjegjësia jonë është edhe më e madhe."
Ndërsa Zyba ka thënë se shpreson se në vazhdim skuadrat do të vazhdojnë t’i nënvlerësojnë sepse është në të mirë të tyre.
Ai gjithashtu shpreson se në ndeshje do të jenë të përqendruar që në fund të falënderojnë tifozët për përkrahjen e madhe.

“Na pret ndeshje mjaft e vështirë pasi dihen kualitetet e kundërshtarit. Morëm rezultat pozitiv në udhëtim por shpresojmë të jemi maksimalisht të përqendruar që t’i falënderojmë të gjithë mbështetësit që na përkrahin.
Shpresoj që skuadrat të na nënvlerësojnë edhe ndeshjet në vazhdim sepse është në të mirën tonë. Ata mund të na nënvlerësojnë por ne kemi treguar ndeshje shumë të mira, ndoshta edhe më të mira se kundërshtarët dhe fitorja në Sivas do të bëjë që ajo skuadër të qaset ndryshe tash.”
Trajneri Daja foli edhe për lojtarët që mungojnë dhe ata që janë në dispozicion.
“Nesër Edvin Kuc nuk do të jetë i gatshëm, kemi shumë nevojë për kapitenin por nuk do ta sakrifikojmë sepse ka vetëm dy apo tri ditë që është kthyer te vrapimet dhe nuk ka bërë asnjë seancë stërvitore me grupin por gjithsesi do të jetë në bankinë si forcë morale ama 99% jam i sigurt që nuk do të luajë. Kthimi i Astrit Thaqit është bonus për ne por ne kemi një dëmtim tjetër që Tusha nuk do të jetë i gatshëm për lojë. Kontingjenti është i njëjti i para një jave, lojtarët që ishin në Sivas, do të jenë edhe këtu.”

I pyetur se a do ndryshojë diçka në ndeshje, Daja tha se më së mirë është të luajnë siç kanë luajtur deri më tani.
“Në këtë ndeshje do të luajmë siç luajmë gjithmonë, kjo edhe për shkakun se nuk kemi kohë të përgatitemi për ndeshjet e Ligës së Konferencës për shkak të kohës së kufizuar dhe që luftojmë njëkohësisht në kampionat vendor, por nëse do ta kishim kohë gjithsesi se do të përdornim edhe disa strategji tjera. Pra më e mira është t’i qasemi ndeshjes si në ndeshjet e kaluara.”
Mesfushori i ardhur nga Prishtina tha se stili i lojës së Dajës ju ndihmon shumë në vetëbesim dhe freski në skuadër.
“Trajneri na shtynë gjithmonë të sulmojnë ndaj çdo skuadre dhe kjo na ndihmon pastaj në shumë gjëra si vetëbesim e freski.”
Trajneri nga Shqipëria e theksoi se kjo ndeshje do të jetë më e vështirë.
“Çdo ndeshje që kalon është më e vështirë, ne bëhemi më të mirë se marrim përvojë. Presim që të jetë ndeshje më vështirë se ajo në Sivas edhe për faktin se vjen nga një fitore në kampionatin turk që ne kemi ndjekur por edhe për revansh ndaj nesh për humbjen e pësuar një javë më parë.”
Teksa Zyba për përkrahjen masive të tifozëve tha se kjo vetëm i motivon më shumë nuk i emocionon.
“Ne kemi pasur shikuesit në numër të madh gjatë çdo ndeshje. Normalisht kjo është një përkrahje që na motivon dhe aspak nuk na emocionin. Shpresojmë të jemi me këmbë në tokë dhe ta shpërblejmë këtë mbështetje.”
Pritjet janë rritur sipas Dajës
“Pritjet janë rritur, jo vetëm se kemi pikë të barabarta por e ritheksoj se kemi bërë shumë ndeshje të mira si me Cluj ashtu edhe me Sivasspor dhe një pjesë me Slavia Praha. Kemi qejf të vazhdojmë me të njëjtin ritëm dhe nuk duhet të anashkalojmë asnjë detaj të lojës. Të gjithë kundërshtarët kanë vlerë më të madhe të klubit dhe kjo nënkupton se kanë individ të rrezikshme. Në asnjë moment nuk duhet të humbet përqendrimi dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë. Pritjet mund të jenë akoma më të mëdha, nëse bëjmë të kundërtën do të kthemi aty ku kemi nisur ku nuk kemi qenë favorit në grup.”

Ndërsa krejt në fund Ilir Daja tregoi se çka e bënë skuadrën e tij që të marrë rezultate të mira, pavarësisht që kanë vlerë më të vogël se të gjitha skuadrat.
“Elementi kryesor është që djemtë kanë personalitet, djemtë kanë karakter të mirë sportiv, kemi frymë grupi, luftojmë në dy fazat e lojës, si mbrojtje ashtu edhe sulm, kjo ka bërë që të jemi njëjtë me skuadrat apo më mirë se ato që kanë vlerë më shumë se ne.”

