Çudia në mesfushë, Kosova u beson lojtarëve me thuajse dyfish minutazh më të vogël - NACIONALE

Çudia në mesfushë, Kosova u beson lojtarëve me thuajse dyfish minutazh më të vogël

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kosova ka guxuar shpesh të eksperimentojë në vazhdën e kualifikueseve. Bile, shpesh duke e marrë edhe rrezikun të dalë huq, njësoj sikur në rastin e vendosjes së mesfushorëve titullarë në dy ndeshjet e fundit.

Në çdo rast, përzgjedhësi i Kosovës, Alain Giresse, ka vendosur që ta shndërrojë në terren eksperimental repartin ku vetë ai ka luajtur si futbollist: mesfushën. Lojtarët që deri më sot në masë të madhe kishin pasur minutazh të kufizuar në kombëtare dhe që vijnë pa ndonjë përvojë në arenë ndërkombëtare, morën përsipër organizimin e lojës nga mesfusha, e ku vetëm diçka të tillë nuk bënë në praktikë. Po flasim për emrat si Fazliji, Idrizi, Loshaj dhe Berisha.

Ky i fundit bën përjashtim, meqë përvojë ndërkombëtare deri në një masë të caktuar ka, anipse nuk ka pasur minutazh të kënaqshëm me Reims në Francë. Edhe më të paqartë e bën situatën fakti që katërshja e sipërpërmendur ka luajtur thuajse dyfish më pak si mesatare gjatë vitit sesa Dresheviç, Muslija dhe Domgjoni, të cilët nuk po preferohen të luajnë titullarë.

Nëse bëhemi akoma e më koncizë, atëherë asnjë mesfushor nuk ka pasur vazhdimësi dhe nivel të rryer të paraqitjeve, sesa vetë Domgjoni. Për të, asnjë minutë në fushë deri më tani gjatë ndeshjeve të qershorit që ka zhvilluar Kombëtarja e Kosovës. Mospërfshirja e kësaj tresheje mesfushorësh që vijnë nga një formë më e mirë fizike bëhet akoma më misterioze kur llogaritet fakti që Muslija dhe Domgjoni kishin bërë paraqitje të mira kundër Burkino Fasos në miqësoren e parë të luajtur me Alain Giresse në krye të stolit dardan në fund të marsit.

Gjatë periudhës në vazhdim, kur janë kthyer tek ekipet përkatëse, ata veçse e kanë rritur shkallën e paraqitjeve të mira. Pra, ka qenë një përmirësim linear drejt një stabiliteti të qëndrueshëm. E njëjta vlen edhe për Dresheviç.

Thënë të gjitha këto, prapëseprapë duken që nuk vlejnë shumë. Dhe, askush s'e kupton pse në të vërtetë. Në praktikë, respektivisht në fushë, mesfushorët e Kosovës nuk ia dolën ta mbizotërojnë asnjë kundërshtar. Madje, as Qipron.

Rikthimi i zbehtë te 4-2-3-1

Kosova zgjodhi rikthimin në skemën 4-2-3-1, që e kishte aplikuar me Bunjakin dhe Challandes, në shumicën më të madhe të kohës. Ndeshjet e fundit me këtë rreshtim kishin lënë për të dëshiruar, pikërisht duke qenë në dijeni të një mesfushe çdoherë e më të brishtë. Gjatë fazësë së lojës kur ekipi nuk është në pronësi të topit, tendenca është të kalohet në 4-4-1-1, me dy anësorët e sulmit që tërhiqen në gjysmë të fushës për t'i dhënë ekipit kompaktësi, por diçka e tillë s'u vu re asnjëherë. Mbase, ajo që u duk ishte e kundërta.

Aty ku Kosova dështoi në masë të madhe në paraqitjen e saj kundër Greqisë ishte dalja me topin në 30-metërshin e fundit në mënyrë të rrjedhshme, pa i llogaritur këtu pasimet sporadike. Nga ajo që praktikohet rëndomtë dhe që e kemi parë edhe te Kosova viteve të kaluara kur ka aplikuar këtë skemë, është se dyshja e mesfushës duhet ta hapë lojën për anësorin sulmues që e ka në krah të tij, i cili duhet të tërhiqet mbrapa për ta ndryshuar pastaj kahjen e lojës në anën e kundërt, për bashkëlojtarin që qëndron në pozitën e njëjtë pa lëvizur, në pritje të topit. Thjesht, sipas direktivave, pritej që Rashica të zbriste drejt qendrës dhe ta pranonte topin nga Loshaj për ta bërë më pastaj diagonalen drejt Zhegrovës, në mënyrë për të mundësuar një dyfishim të krahëve në anën e djathtë drejt një situate potenciale të favorshme dy kundër një dhe anasjelltas me Fazlijin që duhet të pasonte për Zhegrovën, por kjo nuk ndodhi. Sa për mosvizionin, përgatitjen fizike të 100% (kjo më shumë në rastin e Loshajt) dhe mungesës së dëshirës për bashkëpunim (si në rastin Zhegrova - Rashica në pjesë të parë, kur nuk pasonin ndërsjelltas).

Fazliji u fut si balancues, por vetëm atë detyrë s'e bëri

Dresheviç u la në stol me idenë që Fazliji do të mund ta mbulonte më mirë mesfushorin shkatërrues, për t'i dhënë Kosovës më shumë garanci sa i përket rekuperimit të topave dhe të dueleve të fituara. Në fund nuk doli asnjëra, as tjetra. Pritshmëritë natyrshëm ishin më të mëdha për të sesa Loshajn. Fazliji është e vërtetë që vinte nga një sezon ku në shumicën dërmuese të sezonit me St. Gallen ka luajtur si mesfushor.

Eksperiment më vete nuk ishte vendosja e tij aty, sa besimi i madh që iu dha para një numri më të madh lojtarësh që janë pjesë e klubeve më cilësore, që kanë më shumë përvojë në ndeshje të tilla, veçmas me Kosovën - dhe që e njohin grupin e lojtarëve më shumë sesa ai.

Fazliji ndeshjen përballë Greqisë e përfundoi si lojtari i dytë që kishte më së paku duele të fituara nga titullarët, duke e pasuar Rashicën. Për dallim nga Rashica që duelet fizike të fituara nuk i ka imperativ kategorik për t'i garantuar gjatë ndeshje, Fazliji mu për një gjë të tillë u vendos në krah të Loshajt si titullar. Ai humbi plot 62% të dueleve ndaj kundërshtarëve, gjë e cila u reflektua edhe në fushë, pasi nuk ia doli në asnjë moment të diktonte tempon e lojës.

Edhe në elementet tjera të lojës nuk la ndonjë gjurmë për t'u cekur. Rënduan tej mase shumë dy topa të humbur brenda gjysmëfushës së Kosovës dhe gjashtë të tjerë në sulm.

Loshaj gati inekzistent

Pavarësisht vullnetit të mirë dhe të shumtë, Florian Loshaj ishte i margjinalizuar në fushë. I futur për t'i dhënë gjeometri lojës, ai së bashku me Fazlijin më shumë vrapuan në zonë boshe sesa që mbajtën lart mesfushën e Kosovës. Të pafuqishëm për nga cilësia në raport me kundërshtarët. Në rastin konkret të Loshajt, ai më nuk figuron as si zgjedhje e parë, dytë, tretë apo e katërt e skuadrës së tij, Cracowia, e cila, për hir të së vërtetës, nuk është se po spikat me sezone të lavdishme gjatë këtyre viteve. Pa minutazh, i pakënaqur me ecurinë e sezonit - vjen te Kosova dhe i atribuohen 77 minuta të tëra për të qenë në rolin e regjisorit të lojës në ndeshjen më të ndërlikuar të grupit.

Guxim ky i Giresse që është vështirë të dëshifrohet. Nëse arsyetimi për vendosjen e Loshajt si titullar vjen nga fakti që ka pasur paraqitje diskrete me Kosovën dhe se faktori minutazh në klub nuk mund të jetë relevant deri në atë masë që t'i pengohet pozita e titullarit, atëherë ç'të thuhet për Dresheviç?

Një antitezë e pastër që e hedh poshtë çdo argument të ngjajshëm.

Lajme të ngjashme