Cucurella: Asnjëherë nuk do t’i pres flokët, ky është stili im
Mbrojtësi i Chelseas, Marc Cucurella ka përjashtuar mundësinë e prerjes së flokëve, pavarësisht incidentit që ndodhi me Cristian Romeron e Tottenham Hotspurit, i cili në më pak se një minutë përpara se skuadra e tij ta barazonte ndeshjen, e kapi nga flokët, por kjo gjë nuk u ndëshkua nga gjyqtari e as nga VAR.
Ky rast i minutave të fundit të takimit, ishte vetëm një nga shkëndijat e sherrit mes Antonio Contes dhe Thomas Tuchelit, që pastaj e vazhduan edhe me një konfrontim të vogël fizik, ku si pasojë u ndëshkuan të dytë me karton të kuq.
Çfarë thotë Cucurella për Romeron?
I pyetur se a e kishte shikuar rastin në televizion pastaj dhe çfarë mendon rreth incidentit, mbrojtësi spanjoll u përgjigj se nuk kishte nevojë ta shikonte më sepse dihej që kur ndodhi në fushë.
“Po. Për mua ishte faull i pastër, kështu mendova menjëherë në fushë dhe kështu mendoj përsëri. Nuk e kam parë në TV apo video. Mendoj se ishte mjaftë e qartë, ky është një gabim i gjyqtarit apo VAR-it. Ndonjëherë gjyqtarët marrin vendime të mira, ndonjëherë jo.”
Gjatë intervistës 24-vjeçari u pyet se a mendon t’i heqë flokët për të evituar incidente të ngjashme në fushë në të ardhmen, por edhe këtu përgjigja e tij ishte e qartë dhe e prerë.
“Jo, asnjëherë. Ky është stili im!”, thotë ai.
😁 🇪🇸 pic.twitter.com/vbKipFNYxb
— Chelsea FC (@ChelseaFC) August 17, 2022
Pozita në fushë e Cucurellas te Chelsea dhe gara për një vend titullari me Chillwellin
Trajneri gjerman i Chelseas, në një intervistë më herët ka lënë të kuptohet se Cucurella do të përdoret si mbrojtës qendror apo edhe mbrojtës anësor, ndërsa vet lojtari ka thënë një përgjigje interesante për pozitën e tij të preferuar në fushë.

“Të tri pozitat në krahun e majtë janë të mira për mua. Mendoj se ndoshta më e mira është pozita e mbrojtësit të majtë me katër mbrojtës në formacion, është vendi ku kam luajtur në akademi.”
Mbrojtësi spanjoll i sapoardhur në Chelsea do të ketë garë për pozitë titullari me Ben Chillwell këtë sezon, me spanjollin që filloi ndeshjen përpara ish-lojtarit të Leicester Cityt, kundër Tottenhamit të dielën që shkoi.

“Beni më ka ndihmuar shumë në ditët e mia të para këtu, ai është një person shumë i mirë. Duhet të punojmë fortë që të luajmë në atë pozitë. Ne kemi dy lojtarë për një pozitë, por kush tregohet më i mirë do të luajë. Kjo është e mirë për skuadrën.”
Chelsea ndeshjen e ardhshme në Premierligë do ta zhvillojë si mysafirë i Leeds United, këtë të diele. Kujtojmë se në dy ndeshjet e para të kaltrit e Londrës kanë grumbulluar katër pikë, pra një barazim dhe një fitore.