Cristiano Ronaldo udhëton për në Angli, do të diskutojë me Man Unitedin për të ardhmen
Sulmuesi Cristiano Ronaldo është duke u rikthyer në Angli që të diskutojë me Manchester Unitedin për të ardhmen, kështu raporton mediumi më i besueshëm anglez "The Athletic".
Ronaldo ende nuk ka punuar nën urdhrat e Erik ten Hag derisa ka humbur fazën parapërgatitore në Tajlandë dhe Austri për "arsye familjare".
37-vjeçari pritet që gjatë ditës së hënë te jetë në Manchester, ku do të diskutojë me Unitedin, të cilët i ka informuar që dëshiron të largohet nëse një ofertë e përshtatshme arrin.
Man United vazhdon të jetë i qëndrimit që Ronaldo nuk është për shitje dhe do të jetë pjesë e rëndësishme e skuadrës për edicionin 2022/23.
Raporti shton se ende është e paqartë nëse Ronaldo do jetë nesër në stërvitje, por diçka është e sigurt që do ketë bisedojë me Ten Hag ballë për ballë në ditët e ardhshme.
Te Manchester United këtë rikthim të Ronaldos e vlerësojnë si shenjë pozitive. Momentalisht gjasat më të mëdha janë që sulmuesi të mbetet në skuadër, por ende situata nuk është plotësisht e qartë.
Lojtarët e Man United e kanë pasur këtë ditë pushim pasi udhëtuan nga Australia, por qysh nesër do të nisin stërvitjet për dy ndeshjet e radhës, njëkohësisht të fundit për këtë fazë parapërgatitore.
Ten Hag disa herë është pyetur për zhvillimet e fundit për Ronaldon, mirëpo gjithmonë ka qenë i qartë: Ai nuk është në shitje.
Ronaldo ka edhe 12 muaj të mbetur në kontratë që nënshkroi verën e kaluar, por ekziston edhe një opsion rinovimi për një tjetër, të cilën Ten Hag dëshiron të aktivizohet.
Ten Hag më 18 korrik deklaroi: "Jam shumë mirë i informuar, ai ka edhe një vit të mbetur në kontratë. Po (ai mund të qëndrojë pas këtij sezoni, por të jemi të sinqertë, unë kam nënshkruar për tre vite, mirëpo në futboll gjithçka është afatshkurtër. Duhet të fitojmë që nga fillimi. Nuk shikoj shumë larg".
"Kam strategji, është proces, duhet kohë por në fund do të sigurohemi që të jemi skuadër fituese".
Ronaldo shënoi 24 gola edicionin e kaluar, duke qenë golashënuesi numër një te Man United, por nuk ishte në gjendje t'iu ndihmojë për kualifikimin në Ligën e Kampionëve.
Mungesa në Ligën e Kampionëve dhe dëshira e madhe për të fituar trofe, është një ndër arsyet që kërkon largimin. Sulmuesi dëshiron të jetë garues në nivelet më të larta dhe kështu ka shpresuar që skuadra të përforcohet.
Man United ka kompletuar dy nënshkrime deri më tani me Tyrell Malacia dhe Christain Eriksen. Lisandro Martinez gjithashtu ka pranuar kalimin në "Old Trafford" nga Ajax, që është zyrtarizuar por ende jo komplet e kryer shkaku i vizës së lojtarit.
Skuadra e Ten Hag do ta nis edicionin në Premierligë më 7 gusht kundër Brighton.