Conte: Duhet të luajmë me ambicie për të qenë protagonistë në Ligën e Kampionëve - NACIONALE

Conte: Duhet të luajmë me ambicie për të qenë protagonistë në Ligën e Kampionëve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Antonio Conte ka folur në prag të ndeshjes që Tottenham do ta luajë në Ligën e Kampionëve nesër kundër Marseille.

Tottenham po kalon në një formë të mirë në Premierligë, pas një përfundimi po aq të mirë të kampionatit që ka pasë gjatë sezonit që lëmë pas, duke siguruar kualifikimin në Ligën e Kampionëve,

Trajneri italian nuk shquhet për ndonjë shkëlqim të madh në arenën evropiane, për çka ka marrë kritika të mëdha, ngase dështimet e tij me skuadrat që ka ushtruar në Ligën e Kampionëve kanë qenë të vazhdueshme, duke filluar nga Juventus, për të vazhduar me të tjerat radhazi.

Dikush e interpreton si një ters të Contes zhvillimin e ndeshjeve në Ligë të Kampionëve, ku skuadrat që ai drejton nuk arrinë që të tregojnë të njëjtën formë si në kampionatet vendëse. Nga tani e tutje trajneri italian shpreson që ta ndryshon këtë kurs, duke filluar të ketë rezultate të mira me Tottenhamin.

Çfarë pret Conte nga Tottenham në Ligën e Kampionëve?

Antonio Conte ka dalë në konferencë për shtyp për t’u ballafaquar me pyetjet e gazetarëve në lidhje me ndeshjen që do të zhvillohet nesër me fillim në ora 21:00 kundër ekipit francez, Marseille.

“Pikë së pari, jemi në vigjilje të një ndeshje të Ligës së Kampionëve duke iu falënderuar asaj çfarë kemi bërë gjatë sezonit të kaluar. Gjatë sezonit paraprak kemi bërë një punë të madhe, si nga ana e lojtarëve, ashtu edhe e klubit. Thënë sinqerisht, ka qenë e vështirë vetëm të mendoje se do të mund të luanim në Ligën e Kampionëve”, tha ai në fillim.

Conte tregoi se çfarë pret nga ndeshja e nesërme dhe të tjerat që do të vijnë gjatë javëve në vazhdim.

“Tani vetëm duhet ta shijojmë këtë moment dhe të luajmë në këtë kompeticion të mrekullueshëm. Duam të luajmë dhe ta bëjmë më të mirën. Duhet të luajmë me ambicie, me shumë dëshirë, me vullnet për të qenë protagonistë në Ligën e Kampionëve. E di që ky kompeticion është më i vështiri në botë, por edhe një mundësi për të dëshmuar se në çfarë drejtimi jemi duke shkuar dhe sa jemi duke u përmirësuar”, nënvizoi ai.

Trajneri i Spurs ka folur edhe në lidhje me ekipet pjesëmarrëse që janë në Ligën e Kampionëve.

“Në këtë kompeticion luan kundër lojtarëve dhe trajnerëve më të mirë. Nëse dëshiron të jesh garues nuk them se duhesh të jesh i të njëjtit nivel me ta domosdoshmërisht, por edhe jo të jesh larg tyre. Real Madridi është rast në vete. Di si t’i menaxhojë situatat, duke e arritur gjysmëfinalen çdo sezon. Skuadrat tjera duhet të zhvillohen me ambicie, të rriten dhe t’i bëjnë hapat një nga një. Ne duhet ta kemi ambicien që të luftojmë në çdo ndeshje”, përfundoi ai.

Kujtojmë se Tottenham ndodhet në grupin D, së bashku me Eintracht Frankfurt, Sporting Lisbona dhe Marseille. Londinezët llogaritën favoritë absolutë për ta kaluar grupin si të parët.

Lajme të ngjashme