Chelsea triumfon në dramën kundër West Hamit, Tottenham vazhdon serinë e fitoreve
Chelsea ka shënuar fitore në një sfidë mjaft të bukur kundër West Ham me rezultat 2:1, kurse Tottenham ka vazhduar me rezultate të mira, duke ngadhënjyer me rezultat 2:1 ndaj Fulham.
Chelsea u gjend në disavantazh, por arriti që të kundërpërgjigjej në 15 minutat e fundit të ndeshjes, duke përmbysur gjithçka.
Në anën tjetër, Tottenham tregoi edhe një herë që ndodhet në një formë mjaft të mirë, duke fituar ndeshjen kundër skuadrës londineze, Fulham, me rezultat 2:1.
Kjo fitore Tottenham e dërgon në pozitën e dytë tabelare me 14 pikë të grumbulluara, e që është një shenjë i nisjeje mjaft të shkëlqyer të kampionatit.
Raporti i ndeshjes Chelsea 2:1 West Ham
Pjesa e parë me periudha ishte e mërzitshme, pasi West Ham po vazhdonte të mbrohej mjaft mire, duke mos u dhënë shumë hapësira lojtarëve të Chelseat që ta qarkullonin topin ashtu siç dëshironin.
Aksionet e rrjedhshme nuk është se u vërejtën në 45 minutat e para. Kryesisht lufta ishte e koncentruar né gjysmë fushë, ku West Ham tregoi edhe një herë që ka lojtarët e duhur për të aplikuar një futboll fizik, i cili né fund edhe e vuri shumë né vështirësi Chelsean.
Gjithsesi, nëse pjesa e parë u mbyll në shifrat 0:0, ajo e dyta ishte më e gjallë, duke prodhuar edhe gola. Chelsea nisi të këmbëngulte që ta gjente golin e epërsisë, por shumë shpejt iu deshtë të pajtohet një dush të ftohtë që pranoi më vonë.
Zhvillohej minuta e 62-të kur sulmuesi korpulent Antonio shënoi për t’i zhbllokuar shifrat në 0:1. “Stamford Bridge” kaloi né një heshtje të tërë, ndërsa mysafirët iu gëzuan pa masë golit.
Kundëpërgjigja e vendësve nuk vonoi. Ajo erdhi përmes njërit prej lojtarëve që më së paku pritej që do të shënonte gol. Në minutën e 76-të, Chilwell u gjend për mrekulli në brendi të 16-metërshit, duke shënuar gol nga një pozitë e vështirë. Realizimi ishte me një dinakëri të shkëlqyer.
Tek kur po iu afrohej fundit të ndeshjes, Havertz në minutën e 88-të ngriti të gjithë të pranishmit në këmbë, duke ia dhuruar Tuchelit golin e përmbysjes së rezultatit për 2:1, i cili ishte edhe goli i fitores.
Raporti i ndeshjes Tottenham 2:1 Fulham
Tottenham po vazhdon të kalojë né një formë shumë të mirë. Këtë gjë e dëshmoi edhe né sfidën e sotme kundër rivalit lokal Fulham, të cilin e mposhti me një rezultat të ngushtë 2:1, por që solli një fitore shumë të vlefshme për Antonio Conten.
Që në pjesën e parë Spurs treguan një mbizotërim të theksuar në fushë. Edhe pse sulmet nuk rreshtnin, kjo nuk mjaftoi që Tottenham ta zhbllokonte shpejt rezultatin.
Mesfushori danez, Hojbjerg, ishte ai që në minutën e 40-të shënoi golin për 1:0. Falë këtij goli Tottenham shkoi në pauzën 15 minutëshe mes dy pjesëve duke u gjendur në epërsi.
Në pjesën e dytë Tottenham ruajti balancin në lojë, duke mos sulmuar njësoj sikurse në pjesëlojën e parë. Prapëseprapë vendësit golin e gjetën. Këtë e bënë përmes të përhershmit Harry Kane, i cili nga afërsia në minutën e 75-të shtyu topin në rrjetë.
Në minutën e 83-të ishte Mitrovic ai që përmes një goli shumë të bukur hapi sërish llogaritë e ndeshjes, duke çuar shifrat në 2:1.
Pas ndeshjeve që u luajtën sot, Arsenal vazhdon të jetë skuadra që udhëheq kampionatin anglez, ndërsa Chelsea renditet në pozitën e 5-të, ndryshe nga Tottenham në atë të dytën.


