Conlan pas nokautit brutal: “Kur u zgjova thashë, ‘çfarë ndodhi? A humba?’”
Michael Conlan thotë se ndihet i shkatërruar dhe me zemër të thyer, pasi u nokautua në rundin e fundit të luftës për titull në kategorinë e lehtë kundër Leigh Wood në fundjavë.
Pasi e kishte rrëzuar Woodin në rundin e parë, Conlan po e fitonte luftën me pikë deri në rundin e 12-të dhe të fundit.
Por Wood e nokautoi atë me një goditje spektakolare, duke e hedhur jashtë ringut dhe duke e lënë pavetëdije për rreth dy minuta.
“Kur u zgjova thashë, ‘çfarë ndodhi? A humba?’”, tha Conlan.
Boksieri britanik u mjekua në ring për një kohë para se të dërohej në spital me barelë.
30-vjeçarit i kishte ardhur vetëdija në ambulancë rrugës për në spital dhe tha se e ndihej sikur në ëndërr.
“Isha i shkatërruar. I mllefosur. U zemërova paksa dhe u hutova. Pastaj fillova të kuptoj se çfarë kishte ndodhur”, tha Conlan, për të cilin kjo ishte disfata e parë në 17 luftërat e tij profesionale.
“Besoja se ajo do të ishte nata ime, ishte nata ime deri në çastin kur e mora atë grusht. Është fatkeqësi, por ndodhin këto gjëra”, nënvizoi ai.
Pasi u dërgua në spital, Conlan u lirua pas një ore ekzaminimesh dhe kontrolleve mjekësore.
“Çdo gjë është e qartë dhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Ishte mirë dhe shpejt dhe sapo i morëm rezultatet, më thanë që mund të shkoja në shtëpi”, shtoi ai.
Conlan e lavdëroi kundërshtarin e vet Wood që nuk e festoi fitoren derisa ai po mjekohej në ring dhe tha se ky meç meriton ta ketë një rimeç.
“E dua një rimeç. Mendoj se paraqitja, unë duke fituar me pikë, e meritoj një rimec”, këmbënguli Conlan.
Ai tha se e kaloi natën duke e shikuar luftën dhe theksoi se ishte habitur sesi Wood ia kishte dalë ta rimerrte veten pas nokdaunit në rundin e parë.
“E dija që po fitoja dhe kur e shikova meçin më vonë e pashë prapë se kisha qenë duke fituar”, theksoi ai./Gazeta Nacionale/