Conference League: Daku dhe Bytyqi shënojnë gola të rëndësishëm për skuadrat e tyre
Sulmuesit kosovarë, Mirlind Daku dhe Zymer Bytyqi, treguan formë të mirë gjatë mbrëmjes së sontme, ku që të dy gjetën rrugën e golit në rrethin e dytë të Conference League.
Sezoni futbollistik tashmë mund të konstatohet se ka filluar, duke qenë se rrethët kualifikuese në kompeticionet evropiane po zhvillohen çdo mesjavë.
Sot, përveç Dritës (e cila barazoi me rezultat 0:0 në udhëtim kundër Antwerp), edhe skuadrat tjera të huaja të futbollistëve kosovarë kanë zhvilluar ndeshjet e tyre në Conference League.
Me përformanca shumë të mira u veçuan Mirlind Daku dhe Zymer Bytyqi, të cilët ishin vendimtarë me golat e tyre për rezultatet e ekipeve përkatëse.
Bytyqi nuk u ndahet golave
Zymer Bytyqi po vazhdon të jetë çdo ditë më shumë lider dhe lojtar përcaktues për skuadrën e tij ku aktivizohet, Konyaspor.
Tek sot Konyaspor filloi aventurën e saj në kualifikimet e Conference League. Në rrethin e dytë të kompeticionit në fjalë si kundërshtar kishin skuadrën BATE nga Bjellorisa.
Gjithsesi, ishte Bytyqi ai që në minutën e 39-të shënoi për mrekulli për golin që çoi në epërsi Konyasporin. Një lëvizje e tij e mrekullueshme në brendi të zonës u shoqërua nga një goditje e saktë, e cila e la fjetur portierin kundërshtar.
🔥 Konyaspor, Zymer Bytyqi'nin golüyle 1-0 öne geçti!pic.twitter.com/42ua8DzQA6
— mackolik (@mackolik) July 21, 2022
Në minutën e 40-të Konyaspor mbeti me 10 lojtarë në fushë, pasi Yazgili u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.
Sido që të jetë, edhe në kushte të pabarabarta në fushë sa i përket numrit të lojtarëve, Konyaspori ia doli ta shënojë edhe golin e dytë.
Një gjë të tillë e bëri në minutën e 58-të, përmes Michalak, i cili shënoi për 0:2.
Konyasor mbrohej mjaft mirë, duke i neutralizuar suksesshëm të gjitha sulmet e skuadrës nikoqire.
Pak çaste para se të përfundonte ndeshja, mesfushori 26-vjeç kroat, Robert Muric, shënoi golin e fundit të ndeshjes, për ta vulosur rezultatin përfundimtar 0:3.
Zymer Bytyqi në këtë ndeshje luajti për 90 minuta, duke treguar një kondicion të mirë fizik, përtej golit që shënoi. Ndeshja e kthimit luhet më 28 korrik, ku Konyaspor do të luajë si vendëse.
Mirlind Daku vazhdon formën e mirë
Sulmuesi 24-vjeç vendosi që të qëndrojë te Mura, pas një huazimi të sukseshëm çfarë u dëshmua ai i sezonit të kaluar.
Kjo zgjedhje po i jep rezultat, pasi edhe në këtë fillim të sezonit gjatë rrethëve të para kualifikuese në Conference League po dëshmon paraqitje të mira.
Mirlind Daku ishte ai që zhbllokoi rezultatin e ndeshjes në minutën e 28-të kundër St. Patricks, për të shënuar për 0:1. Sulmuesi kosovar shfrytëzoi më së miri gabimin e mbrojtjes së vendësve. Ai në mënyrë mjaft elegante ia doli ta driblojë edhe portierin kundërshtar, duke futur më pastaj topin në rrjetë nga një pozitë e pafavorshme.
Gjithsesi, skuadra sllovene nuk ia doli që ta menaxhojë epërsinë e krijuar, pasi St. Patricks barazoi në minutën e 60-të përmes mesfushorit Forrester.
Pavarësisht gjithash, goli i Dakut ishte vendimtar për Muran që të dilte i pamposhtur nga ndeshja e parë, duke lënë që gjithçka të përcaktohet në Slloveni pas një javësh.
Daku luajti gjatë gjithë ndeshjes, duke i ndihmuar mjaft shumë skuadrës edhe në momentet kur ajo mbrohej në gjysmëfushën e saj.

