Coman: Është vështirë të festoj këtu, ende s’ka mbaruar
Sulmuesi i Bayern Munichut, Kingsley Coman është ndarë tejet i lumtur me fitoren ndaj PSG-së, derisa theksoi se e pa të vështirë të festonte në “Parkun e Princave”.
Bayern shënoi fitore minimale ndaj PSG-së me rezultat 1:0 falë golit Coman.
Pas ndeshjes për “Canal”, Coman tha se është i lumtur me këtë fitore, derisa deklaroi se ka ende kohë për ndeshjen e rikthimit.
“Një fitore si mysafir është gjithnjë e mirë. Duke shikuar ndeshjen, ndoshta do të donim më shumë në fillim, pastaj ishte më e komplikuar në fund prandaj kënaqemi me 1:0”.
“Goli im? Është diçka që kemi punuar shumë në stërvitje, ai më gjuan një top perfekt dhe pata sukses. E godita topin shumë fortë dhe portieri nuk arriti ta ndalë”.
“Është ëndërr e fëmijërisë të shënoja në "Parkun e Princave", është klubi që jam rritur, qyteti ku linda. Prandaj nuk doja të festoja në sy të tifozëve por në fund jemi shumë të lumtur me fitore”.
“Ndeshja e rikthimit? Pas tre javëve ka kohë për të projektuar këtë ndeshje, duhet të fokusohemi në Bundesliga. Nuk ka mbaruar ende, herën e fundit që luajtëm ndaj tyre ishte shumë ngushtë”.
Përballja e dytë ndërmjet Bayern Munichut dhe PSG-së zhvillohet në “Allianz Arena” më 8 mars.