Chelsea rikthehet te fitorja në Premierligë, mposht lehtësisht Bournemouthin
Pas gjashtë javësh rezultate negative në Premierligë, Chelsea është rikthyer te fitorja, pasi mposhti me rezultat 2:0 Bournemouthin në “Stamford Bridge”.
Fitorja e fundit në Premierligë e Chelsea datonte më 16 tetor. Tre humbje të njëpasnjëshme kishin zgjuar një frustrim te tifozët e skuadrës londineze.
Megjithatë, ajo sot ia doli që të arkëtojë tre pikët, në një sfidë kundër Bournemouthin që mbizotëroi në çdo aspekt, në çdo fazë të saj.
Epërsia e Chelseat nuk vonoi shumë. Ajo erdhi në minutën e 16-të. Një pasim i saktë nga këndi i djathtë i Sterling për Havertz që gjendej në zonën e rreptësisë, solli zhbllokimin e rezultatit, pasi sulmuesi gjerman goditi saktë nga afërsia për 1:0.
Pas vetëm tetë minutash lojë Chelsea e dyfishoi epërsinë. Kësaj radhe u nevojit një goditje teknike shumë e mirë nga Mount. Ky i fundit nga një pozitë jo shumë e lehtë për shënim, gjeti një kënd të lirë, duke koordinuar një goditje mbresëlënëse për 2:0.
Në këtë ndeshje nga minuta e parë u rikthye të luajë edhe James. Sidoqoftë, i njëjti fatkeqësisht doli në pjesën e dytë pasi sërish u ankua në lëndim. Kështu në minutën e 53-të ishte Azpilicueta ai që hyri në fushë duke marrë vendin e tij.
Edhe në minutat në vazhdim Chelsea prodhoi edhe aksione tjera të rrjedhshme, duke iu afruar edhe golit të tretë, por pa sukses.
Krejt në fund ndeshja përfundoi me rezultat 2:0 në të mirë të Chelseat. Skuadra e Potter me këtë fitore momentalisht zë vendin e 8-të me 24 pikë të tubuara.

Ndeshjen e ardhshme Chelsea do ta luajë kundër Nottingham me datën 1 janar.
