Chelsea planifikon stadium të ri prej 2,3 miliardë eurosh
Chelsea po konsideron mundësinë që të investojë në infrastrukturën sportive, me Stamford Bridge krejtësisht të ri, që mund ta detyrojë klubin të luajë jashtë shtëpisë për katër vite.
Të kaltrit e Londrës mund të vendosin të shkatërrojnë Stamford Bridge dhe të ndërtojnë një stadium të ri 2.3 miliardë euro me kapacitet prej 60,000 tifozësh, sipas Daily Mail.

Pronari Todd Boehly i është drejtuar tashmë shefit të Fulhamit, Shahid Khan, për të diskutuar në mënyrë joformale mundësinë e zhvillimit të ndeshjeve në Craven Cottage ndërkohë që punimet e ndërtimit zhvillohen. Stadiumi Wembley dhe Twickenham janë gjithashtu opsione për dy herë kampionët e Evropës, me vlerësimet e hershme që pretendojnë se skuadra mund të duhet të luajë larg Stamford Bridge për të paktën katër vite.

Kapaciteti aktual i stadiumit është 42,000 ulëse, që është dukshëm më i vogël se rivalët si Liverpool, Manchester United, Arsenal, Manchester City dhe Tottenham. Planet për të lëvizur kanë qenë në rendin e ditës për shumë vite, me pronarin e mëparshëm Roman Abramovich që fitoi lejen e planifikimit për të rizhvilluar terrenin në vitin 2017. Megjithatë, projekti nuk doli kurrë dhe leja e planifikimit skadoi në vitin 2020.

Rizhvillimi i Stamford Bridge do të jetë një projekt i kushtueshëm dhe i vështirë për t'u ndërmarrë. Vendndodhja e tokës në perëndim të Londrës është afër linjave të trenit dhe metrosë, një varreze dhe një lumi nëntokësor, duke e bërë të pamundur ndërtimin.

