Chelsea i jep leksion Milanit, Real Madrid vazhdon me rekordin e pamposhtur
Chelsea ka shënuar fitore bindëse ndaj AC Milanit (3:0), derisa Real Madrid ka triumfuar në shtëpi kundër Shakhtar Donetsk (2:1), në kuadër të xhiros së tretë për fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.
"Blutë" e Londrës zhvilluan lojë shumë të bukur si nikoqir, duke fituar në fund me rezultat komod 3:0.
Qysh nga minutat e parë, Chelsea ishte mjaftë e rrezikshme duke rrezikuar përmes Mason Mount e Thiago Silva, që nuk arritën t'i konkretizojnë rastet.
Ishte qendërmbrojtësi Wesley Fofana që shënoi golin e parë në fanellën e Chelseas nga afërsia, pasi përfitoi nga një situatë e pakëndshme brenda zonës (24').
Mason Mount pastaj dyfishoi epërsinë me një parabolë të bukur, por që goli u anulua për pozitë jashtë loje.
Milan kishte një mundësi të mirë shënimi në fundin e pjesës së parë, por goditja e Rafael Leao u ndal nga Kepa, e nga topi i kthyer nuk përfitoi as Bennacer.
Në pjesën e dytë, Chelsea mori edhe më shumë posedimin e dyfishoi epërsinë përmes Pierre-Emerick Aubameyang që u asistua nga Reece James (56').
Vetëm gjashtë minuta më vonë, James shënoi golin që doli të jetë i fitores me një goditje të bukur pas një asistimi nga Raheem Sterling (62').
Vlen të ceket se në këtë sfidë si inkuadrues në fushë hyri shqiptari Armando Broja që zëvendësoi Raheem Sterling në minutën e 75-të.
Me renditjen momentale, Chelsea është në pozitën e dytë me katër pikë, aq sa ka edhe Milani në vendin e tretë.
Në anën tjetër, Real Madrid ka vazhduar me fitoret e radhës, këtë herë duke triumfuar ndaj Shakhtar Donetsk me rezultat të ngushtë 2:1 në “Santiago Bernabeu”.
Ishte sulmuesi Rodrygo që hapi serinë e golave pas vetëm 13 minutave lojë, duke shënuar një gol të bukur pasi dribloi mes dy futbollistëve kundërshtarë (13').
Real Madrid nuk u ndal më kaq duke pasur edhe raste të tjera e arriti ta dyfishojë epërsinë me një aksion të mahnitshëm, ku Vinicius Junior e dërgoi topin në rrjetë pas një asistimi të Rodrygos (28').
11 minuta më vonë, mysafirët u kundërpërgjigjen përmes sulmuesit Oleksandr Zubkov që shënoi një gol tejet të bukur me një goditje vollej pas një harkimi të Bogdan Mykhaylichenko (39'), rezultat me të cilin edhe përfundoi kjo pjesë.
"Los Blancos" vazhduan të kërkojnë edhe gola të tjerë në pjesën e dytë, duke pasur disa raste përmes dyshes Rodrygo e Vinicuis, mirëpo që nuk i konkretizuan.
Kështu, Real Madrid tani ka nevojë vetëm për një fitore që të avancojnë në raundin e 16-të pasi janë lider me nëntë pikë, derisa Shakhtar gjendet në pozitën e dytë në tabelë me katër sosh.
Javën tjetër, dy skuadrat do të përballen sërish, veçse Shakhtar do të jetë nikoqiri.