Çdo person ka të drejtë të marrë pjesë në gara sportive pa diskriminim: Kjo nuk e përjashton as boksieren algjeriane Imane Khelift
Imane Khelifit, boksiere nga Algjeria, i mjaftuan vetëm 1 minutë e 46 sekonda që ta fitonte ndeshjen kundër boksieres italiane, Angela Carini, në kuadër të Lojërave Olimpike. Në shikim të parë, asgjë befasuese, pasi duket një ndeshje normale. Dy boksiere garojnë në Olimpiadë, njëra nga ngjarjet më të rëndësishme në jetën e sportistëve. Megjithatë, vala e reagimeve që pasoi në Kosovë e globalisht nuk ishte aspak normale.
Boksierja italiane nuk arriti as t’i afrohej dot Khelifit gjatë këtyre pothuajse dy minutave, duke u dorëzuar para kohe. Pas ndeshjes, Carini u ankua se për shkak të goditjeve kishte dhimbje të mëdha në hundë.
Ky dorëzim i lojës nga Carini ngjalli një serë reagimesh në tërë botën, përfshirë edhe në Kosovë.
A do të duhej që Khelifi të lejohej të garojnte në boksin për gra? A duhej të lejohej një “transgjinore” që të ishte pjesë e garave në boksin e grave? Këto dhe pyetje të ngjashme “shpërthyen” në rrjete sociale, duke nxitur një debat “pro et contra” rreth kësaj ngjarjeje.
Qindra e mijëra lajme të rreme, akuzime e kërkesa që Khelifi të pezullohej, pasi theksohej se ajo ishte përjashtuar nga Federata Ndërkombëtare e Boksit në kampionatin e boksit në vitin 2018, nën pretendimin se nuk kishte arritur t’i kalonte testet gjinore.
Kush është Imane Khelifi?
Imane Khelifi është një boksiere algjeriane, e cila e ka filluar karrierën e saj të boksit që nga fëmijëria, edhe pse ëndrra e saj ishte që të bëhej futbolliste.
Kur mësuesit e saj i zbuluan aftësitë e saj të natyrshme për sport, ata ia sugjeruan boksin. Pamundësia që të stërvitej në fshatin e saj në Algjeri e shtyu Khelifin që të fillonte të shiste bukë në rrugë për të arritur që të mblidhte para në mënyrë që të shkonte në qytetin më të afërt për ta vazhduar karrierën e saj në boks.
Edhe pse garonte në gara ndërkombëtare, ajo asnjëherë nuk kishte arritur që të rangohej lart në listën e boksiereve më të mira në botë. Në vitin 2018, ajo ishte renditur e 17-a në Kampionatin Ndërkombëtar të Boksit, ndërsa në vitin pasues e 33-a.
Problemet për Khelifin filluan vetëm në vitin 2023, pasi boksierja algjeriane ishte shumë afër fitimit të Kampionatit Botëror të Boksit. Për shkak të një testi të gjenetikës, ajo u diskualifikua, duke iu ndërprerë ëndrra për fitoren e medaljes së artë.
Federata Ndërkombëtare e Boksit nuk bëri ndonjë sqarim shtesë apo vërtetim të deklaratës së vet se Khelifi i ka kromozomet XY, gjë biologjikisht e pazakontë te gratë.
Sqarim: Seksi biologjik te njerëzit përcaktohet nga prania e kromozomeve seksuale në kodin gjenetik: dy kromozome X (XX) bëjnë një vajzë, ndërsa një kromozom X dhe një Y (XY) bëjnë një djalë. Në këtë mënyrë, është prania ose mungesa e kromozomit Y në një njeri që e dallon djalin nga vajza.
Megjithatë, Khelifi e vazhdoi rrugëtimin e saj për medalje të artë në Lojërat Olimpike në vitin 2024, që po mbahen në Paris të Francës.
Sidoqoftë, ajo tash është duke u përballur me kritika nga ish-rivalë, por edhe nga persona të cilët nuk e kanë idenë më të vogël se çfarë është duke ndodhur në Lojëra Olimpike.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, në një përpjekje për ta vendosur pikën mbi i, dje lëshoi një deklaratë, duke theksuar se të gjithë kanë të drejtë të garojnë pa përjashtime, si dhe Komiteti Ndërkombëtare i Boksit do të duhej që të reflektonte mbi metodat e testimit.
“Të gjithë atletët që marrin pjesë në turneun e boksit të Lojërave Olimpike Paris 2024 janë në përputhje me rregulloret e pranueshmërisë dhe hyrjes në garë, si dhe të gjitha rregulloret mjekësore të zbatueshme të vendosura nga Njësia e Boksit Paris 2024 . Ashtu si në garat e mëparshme olimpike të boksit, gjinia dhe mosha e sportistëve bazohen në pasaportën e tyre’’ –thuhej në deklaratën e tyre.
“Ne kemi parë në raporte informacione mashtruese për dy atlete femra që garojnë në Lojërat Olimpike Paris 2024. Dy atletet kanë konkurruar në garat ndërkombëtare të boksit për shumë vite në kategorinë e femrave, duke përfshirë Lojërat Olimpike Tokio 2020, Kampionatin Botëror dhe turnet e sanksionuara nga IBA’’ – kanë deklaruar nga IOC-ja.
Pra, Khelifi, sipas rregullores së Lojërave Olimpike, ka të drejtë të garojë, ndërsa neve na mbetet vetëm që ta shijojmë luftën e saj për medalje olimpike dhe ta kursejmë veten dhe të tjerët nga komentet homofobike, transfobike, seksiste e islamofobe.