Cavani: Humbja 6:1 ndaj Barcelonës më ka traumatizuar, kam përdorur terapi - NACIONALE

Cavani: Humbja 6:1 ndaj Barcelonës më ka traumatizuar, kam përdorur terapi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sulmuesi uruguajas, Edinson Cavani, ka rrëfyer një prapaskenë të padëgjuar më parë, rreth traumës që kishte pësuar pas disfatës së PSG ndaj Barcelonës me rezultat 6:1 në çerekfinale të Ligës së Kampionëve në edicionin 2016/'17.

Cavani ishte prej atyre lojtarëve të PSG që ishte në fushë në atë mbrëmje të “Camp Nou” në vitin 2017, kur pak kush e mendonte se Barcelona mund ta përmbyste një rezultat të vështirë, marrë parasysh që PSG kishte fituar në terrenin vendës 4:0.

Suarez, autogoli i Kurzawa, Messi, dy herë Neymar dhe Sergi Roberto – ishin ata që bënë të pamundurën të dukej e mundur falë golave që shënuan, duke eliminuar PSG në njërën prej ndeshjeve më të çmendura në të gjithë historikun e kompeticionit më të madh evropian.

Tek pas pesë viteve, Edinson Cavani ka rrëfyer të pathëna nga ajo ndeshje, veçmas nga rrafshi personal, rreth ndjesive që ka pasur pas mbarimit të asaj sfide.

Cavani në terapi pas humbjes ndaj Barcelonës

Disa festonin si të marrë (lojtarët e Barcelonës), e disa të tjerë ishin të hutuar nga ajo se çfarë po ndodhte (lojtarët e PSG). Një ndeshje dramatike e përfunduar 6:1 mes Barcelonës dhe PSG ka pasur dy ekstremet: gëzimin në një anë dhe shokun në anën tjetër.

Megjithatë, me gjasë askush si Cavani nuk është tronditur pas asaj ndeshje nga kampi parisien. Këtë e pranuar edhe ai sot gjatë një intervistë që ka dhënë për “Relevo”.

“Hera e parë që kam shkuar në terapi ka qenë pikërisht pas përmbysjes së shkaktuar nga Barcelona. Më ka prekur shumë. Janë gjëra që të tronditin. Në pesë minuta tërë ajo çfarë ishim duke bërë ndryshoi. Ka qenë një goditje tepër e rëndë”, nënvizoi ai.

Ai tregoi motivet që kanë shtyrë që të ndihej asisoj, duke përshkruar si asnjëherë më parë të gjithë atë kishte përjetuar: “Nëse flasim për futboll janë gjëra që prekin shumë kënde të një njeriu. Më janë shfaqur simptomat e ankthit, derdhja djersë të ftohta dhe më vinte një kokëdhimbje nga migrena. Kur shkoja në shtrat kisha frikë të flija.”

Ai debakël që Messi me shokë te Barcelona ia shkaktonin PSG, te Cavani doli të ketë qenë plagë e rëndë. Sulmuesi 35-vjeçar ka treguar edhe masat që kishte ndërmarrë në vijim.

“Pastaj kam pyetur veten: ‘vallë kam problem në kokën time?’ Dhe, kështu kam shkuar te mjeku i PSG që më ka shpjeguar se të gjithë ajo që po ndodhte paraqitej edhe te shumë njerëz të tjerë, në fusha të ndryshme. Aty kuptova që nuk isha super hero”, përfundoi ai.

Pasi nuk e vazhdoi kontratën me Manchester Unitedin, Edinson Cavani pranoi që t’i bashkohej Valencias të drejtuar nga Gennaro Gattuso.

Tani ai është pjesë e skuadrës spanjolle, edhe pse në ndeshjet e para të shtatorit ka munguar për shkak të një lëndimi që ia ndërlikuar ambientimin në klubin e ri. Së voni është kthyer të jetë në gatishmëri të trajnerit italian dhe ka bërë dy paraqitjet e para si titullar.

Lajme të ngjashme