Casadei dhe të tjerët – Të rinjtë e Seria A-së që shihen vetëm si formë paraje
Talenti i Interit, Cesare Casadei, është shumë afër kalimit në Chelsea. Ndërsa pritet të jetë vetëm lojtari i radhës i ri që largohet, kjo shihet të jetë një strategji e skuadrave italiane, që nuk i shohin si pjesë e të ardhmes së tyre, por vetëm se si të përfitojnë nga ta.
19-vjeçari që luan në pozitën e mesfushorit ka mahnitur me paraqitjet e tij si me grupmoshat e reja të Interit ashtu edhe me Kombëtaren e Italisë U-19. Ai gjendet mes një lufte ndërmjet Chelseas dhe Nices, por që raportohet se tashmë është arritur marrëveshja me të kaltrit e Londrës për 15 milionë euro plus shtesat dhe pritet shumë shpejt të fluturojë për testet mjekësore.

Casadei ende nuk ka bërë asnjë paraqitje zyrtare për skuadrën e parë të Interit, por është produkt i akademisë dhe shihet si fitim i pastër për zikaltrit që nuk e dobëson skuadrën ekzistuese në dispozicion të Simone Inzaghit.
Kjo taktikë ishte përdorur dhe më herët, pikërisht me shitjen e Nicolo Zaniolos te Roma si pjesë e marrëveshjes për Radja Nainggolan, ndërsa hiq më larg se java e kaluar Andrea Pinamonti u shit te Sassuolo për 20 milionë euro, pas disa huazimeve të njëpasnjëshme.

Parashihen akoma largime nga lojtarët që janë produkt i akademisë së Interit, me Lucien Agoumen e kthyer nga Brest që po shihet si mundësi të dërgohet sërish në huazim te skuadra Lorient.

Eddie Salcedo është një tjetër talent që është dërguar shumë herë në huazime, së fundmi në Spezia dhe tani është i lidhur me një kalim në Standard Liege.

Kjo qasje ndaj të rinjve të saj, ka lejuar Interin që në mënyrë efektive të mbajë të gjithë yjet në skuadër për këtë sezon, duke mos shitur më të përfolurit, Milan Skriniar dhe Denzel Dumfries për të mbledhur fonde.
Non è un'Inter per giovani: via i talenti per salvare il bilancio https://t.co/NY50MTu6de
— Repubblica Sport (@SportRepubblica) August 17, 2022
Kjo konfirmon se akademia e klubit punon vetëm për të kënaqur apetitet financiare dhe se lojtarët më të talentuar nga akademia asnjëherë nuk do ta provojnë ndjenjën që të bartin fanellën e skuadrës që i rriti, më saktësisht kur bëhet fjalë për Interin, por jo që skuadrat tjera italiane bëjnë më mirë në këtë aspekt.
Juventusi dhe Milani janë skuadrat tjera që bëjnë një trajtim të ngjashëm, e që pak është i diskutueshëm. Shesin lojtarë të rinj e të talentuar për të sjellë lojtarë të huaj.