Carlo Ancelotti: Nuk largohem nga Real Madridi derisa të më përzënë
Carlo Ancelotti ka thënë se nuk e ka ndër mend të japë dorëheqje nga posti i trajnerit të Real Madridit, duke thënë se largohet vetëm nëse klubi e përzë.
Mediat braziliane raportuan në fundjavë se Ancelotti kishte arritur marrëveshje me Federatën e Futbollit të Brazilit për ta udhëhequr ekipin kombëtar brazilian.
Brazili është në kërkim të një trajneri të ri, për ta zëvendësuar të larguarin Tite.
Megjithatë, duke folur pasi e udhëhoqi Real Madridin drejt fitimit të Kupës së Botës për Klube me fitore 5:3 kundër Al Hilal të dielën vonë, Ancelotti i hodhi poshtë këto thashetheme.
“Nuk largohem nga këtu derisa të më shkarkojnë”, tha Ancelotti, i cili ka kontratë me Real Madridin deri më 2024.
“Jam i lumtur që jam pjesë e historisë së Real Madridit. Kemi kaluar shumë mirë këtu në Marok, ku na përkrahën shumë tifozë të Real Madridit. Po largohemi shumë të lumtur”, shtoi ai.
Lajmi se Ancelotti do ta merrte drejtimin e Brazilit u hodhën poshtë edhe nga vetë Real Madridi e Federata e Futbollit e Brazilit.
Ancelotti është duke kaluar nëpër një sezon të vështirë me Real Madridin në La Liga, pasi ka ngelur mbrapa në garë për titull dhe përballet me një test të vështirë kundër Liverpoolit në një të tetën e finales në Ligën e Kampionëve.

