Boksierëve të Kosovës sërish iu mohohet pjesëmarrja në Kampionat Botëror, tani në Uzbekistan - NACIONALE

Boksierëve të Kosovës sërish iu mohohet pjesëmarrja në Kampionat Botëror, tani në Uzbekistan

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kampionati Botëror i Boksit do të fillojë më 1 maj në Tashkent të Uzbekistanit, por aty pjesë nuk do të marrin boksierët nga Kosova, ani se një gjë e tillë ishte paraparë të ndodhte.

Siç njofton Federata e Boksit e Kosovës, ekipi është përgatitur deri në detaje, duke aplikuar për vizë sipas procedurave në muajin mars dhe premtimeve se do të pajiseshin në kohë, por tashmë jemi pak ditë para fillimit të Kampionatit dhe nuk kanë pranuar ndonjë përgjigje, qoftë refuzim apo aprovim.

Uzbekistani është një nga shtetet që nuk ka pranuar shtetësinë e Kosovës dhe për shkaqe politike, boksierët dardanë do ta humbasin edhe një garë të madhe.

Për në Kampionatin Botëror ishte paraparë të udhëtonin pesë persona, me Shpejtim Bajoku, Bashkim Bajoku dhe Loris Idrisi si garues, të udhëhequr nga trajneri Besim Brahimi, teksa i pranishëm do të duhej të ishte edhe gjyqtari ndërkombëtar, Latif Demolli.

Federata e Boksit e Kosovës si tani edhe më parë vazhdimisht kërkon trajtim të barabartë nga IBA, në mënyrë që të kenë mundësi të paraqiten në gara të mëdha si këto.

Boksierët e Kosovës deri më tani janë përballur me ndalesa të shumta, duke filluar në vitin 2019 ku nuk arritën të marrin pjesë në Kampionatin Botëror për vajza në Indi, po ashtu në të njëjtin vend edhe një vit më vonë, teksa patën probleme për të garuar edhe në Serbi në vitin 2021, në Spanjë në Botërorin për U18, si dhe së fundi Donjeta Sadikut iu mohua udhëtimi në Indi për në Kampionat Botëror 2023, pak muaj më parë.

Lajme të ngjashme