Bledian Krasniqi i thotë 'PO' Kombëtares së Kosovës
Mesfushori i Zurich, Bledian Krasniqi, ka pranuar të luajë për Kombëtaren e Kosovës, siç njofton mediumi zviceran Blick.
Krasniqi, 23-vjeçar, po zhvillon një sezon shumë të mirë në Superligën e Zvicres, me skuadrën e tij FC Zurich, ku janë lider pas 14 xhirove.
Ai shënoi gol në ndeshjen e fundit të skuadrës së tij ndaj Servettes, ku ndeshja përfundoi 1:1, teksa u dallua me lojën e tij.
Trajneri i tij, Ricardo Moniz, në deklaratën e fundit tha: "Blediani mund të bëjë hapin e madh këtë sezon dhe të bëhet një lojtar i madh dhe lider i skuadrës, ose në të kundërt do të mbetet talent i përjetshëm."
Pasi ka bindur skuadrën e tij dhe drejtuesit se është një lojtar që vlen, ai së shpejti do të bëjë debutimin e tij ndërkombëtar, por me Kombëtaren e Kosovës dhe jo atë të Zvicrës.
Forma e tij e lartë nuk ka kaluar pa u vërejtur nga trajneri i Dardanëve, Franco Foda, i cili e ka vëzhguar së fundmi nga afër Krasniqin.
Sipas Blick, 23-vjeçari ka vendosur tashmë që në të ardhmen të luajë për Kombëtaren e Kosovës.
Foda dhe Krasniqi i njohin njëri-tjetrin, ndonëse kanë bashkëpunuar për një periudhë të shkurtër gjatë vitit 2022 te skuadra e Zurich, kur tani trajneri i Kosovës ishte në krye të kësaj skuadre.
Bledian Krasniqi momentalisht ka pasaportë vetëm të Zvicrës, por siç bëhet e ditur, ai ka aplikuar për pasaportë kosovare dhe do të jetë ardhja më e re e Kosovës brenda javëve, ku kanë mbetur vetëm edhe formalitetet që të zyrtarizohet diçka e tillë.
Franco Foda mund ta ftojë Krasniqin tani që nga grumbullimi i radhës i Kombëtares së Kosovës.
Kjo është një fitore tjetër për Kosovën, pasi vetëm pak kohë më parë, ishte Amir Saipi që zgjodhi të luajë për Dardanët, duke mos pritur më për ftesë nga Zvicra A.
Te Kombëtarja e Kosovës ka disa lojtarë që ose luajnë ose kanë luajtur te Zurich. Përveç Krasniqit tani, aty janë Saipi, Rrudhani, Hadergjonaj, Andi Hoti, Mirlind Kryeziu dhe Arijanet Muric.
Bledian Krasniqi këtë sezon në Superligën e Zvicrës ka zhvilluar 13 ndeshje, 11 prej të cilave si startues, ku ka shënuar dy gola dhe ka asistuar në dy raste të tjera, duke u bërë dy herë pjesë e formacionit më të mirë të javës në 14 xhirot e para.