Bislimi: Të luash për Zvicrën është ëndërr e çdo futbollisti - nuk më interesojnë reagimet nga larg - NACIONALE

Bislimi: Të luash për Zvicrën është ëndërr e çdo futbollisti - nuk më interesojnë reagimet nga larg

1 vit më parë

nga NACIONALE

Alain Giresse në konferencë për shtyp të martën kishte deklaruar se Uran Bislimi ka refuzuar ftesën e Kombëtares së Kosovës. Ndërkohë, Bislimi për mediet zvicerane ka mbrojtur vendimin e marrë.

Kosova duhet të pajtohet me faktin që Uran Bislimi nuk ka treguar gatishmëri të grumbullohet për dy ndeshjet e radhës që “dardanët” do t’i luajnë në Ligën e Kombeve.

Fantazisti 22-vjeçar i Luganos thotë se këtë vendim e ka marrë për të bërë sa më shumë progres në skuadrën përkatëse, duke e koncentruar të gjithë vëmendjen aty në zhvillimin e tij si lojtar.

Vendimin e marrë refuzon t’i japë konotacion se është kundër ekipit kombëtar dardan. “Nuk ishte një vendim kundër Kosovës”, tha ai në një moment gjatë intervistës dhënë për mediumin zviceran “20 minuten”.

Bislimi në asnjë moment nuk e fshehu dëshirën e madhe që t’i bashkohet Kombëtares së Zvicrës, edhe pse, si 22-vjeçar dhe si një lojtar që akoma nuk e ka blinduar qoftë edhe pozitën e titullarit te Lugano – për ta arritur atë cak i duhet akoma shumë punë. Për këtë arsye vendimi për ta refuzuar Kosovën është gjykuar i çuditshëm në sytë e shumë prej futbolldashësve në vend.

Ëndrra e Bislimit për ta përfaqësuar Zvicrën

Edhe pse vendimin për ta refuzuar ftesën e Kosovës e arsyeton me të qenët i koncentruar te zhvillimi në Lugano, Bislimi nuk e fsheh dëshirën e flaktë për të luajtur për Zvicrën.

“Vendimi i marrë është që të fokusohem te Lugano, që të ambientohem sa më mirë dhe ta fitoj statusin e lojtarit titullar. Mirëpo të luajturit për Zvicrën është sigurisht ëndërr e çdo futbollisti”
, shprehet ai.

22-vjeçari është pyetur se si do të vepronte në rast se do të gjendej në një pozitë të atillë sa të zgjedhtë se cilën kombëtare ta përfaqësojë.

“Nëse ndonjëherë do të ndodhem në atë pozitë për të marrë vendim të ngjashëm, duhet të shoh se çka është më mirë për karrierën time sportive”, shpjegon ai.

Futbollisti me prejardhje nga kosovare i ka thënë mediumit helvet që kush e njeh dhe i qëndron pranë, e mirëkupton vendimin e tij.

“Kush më është pranë mund ta kuptojë dhe mirëkuptojë vendimin tim. Nuk më bezdis për reagimet që ngjajnë nga larg. Siç e thashë më herët, fokusi im i vetëm është Lugano”, përfundoi ai.

Mesfushori sulmues kosovar gjatë verës iu bashkua Luganos, pasi më herët ishte pjesë e FC Schaffhausen në divizionin e dytë zviceran.

Lajme të ngjashme