Ardon Jashari: Kam realizuar ëndrrën me Zvicrën, mbeta i shokuar kur Yakin më telefonoi - NACIONALE

Ardon Jashari: Kam realizuar ëndrrën me Zvicrën, mbeta i shokuar kur Yakin më telefonoi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Mesfushori i talentuar Ardon Jashari ka pranuar se ka mbetur i shokuar me ftesën e Zvicrës, derisa e vlerësoi si ëndërr të realizuar që po luan me ekipin A.

Jashari ishte në bisedime me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), por në fund zgjodhi rrugën e Kastriot Imerit dhe Andi Zeqirit, duke pranuar ftesën e ekipit A të Zvicrës.

Në një intervistë për mediumin zviceran “Blick”, Jashari mezi pret të luajë pranë Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit, nga të cilët shpreson që do të mësojë mjaftë shumë.

"Graniti definitivisht është model nga i cili do të mësojë shumë. Gjithashtu e ndjeki Xherdan Shaqirin dhe e kam shikuar që kur isha fëmijë".

I rritur në Zvicër, Jashari asnjëherë nuk e konsideroi të luajë për një kombëtare tjetër, kështu thotë se për të dhe familjen e tij, është ëndërr e realizuar.

"Për mua, kjo çështje është pranë zemrës. Për mua dhe familjen time është ëndërr e realizuar që jam me skuadrën e Zvicrës".

Përpos kësaj, ai foli edhe për momentin kur mori telefonatë nga përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, duke pranuar se mbeti i befasuar.

Mbeta i shokuar në momentin kur ai më telefonoi”, tregon ai duke qeshur.

FFK tentoi, por pa fat – një tjetër talent ia mbyll derën Kosovës

Njësoi siç jemi mësuar këto kohët e fundit, Jashari i bashkohet listës së gjatë të lojtarëve që janë duke refuzuar Kombëtaren e Kosovës.

Drejtori i Kosovës, Muharrem Sahiti për Nacionalen dje konfirmoi se kishte negociata me lojtarin dhe disa takime fizike, që i bëri menaxheri Bajram Shala, por dolën që të jenë të pasuksesshme.

“Po, ne kemi biseduar me Ardon Jasharin. Nuk kanë qenë vetëm kontakte, por ka pasur edhe takim fizik mes tij dhe menaxherit tonë (Bajram Shalës). Sinjalet e para ishin mjaftë pozitive, por tani e pamë që ka pranuar ftesën e Zvicrës. Çfarë të bëjmë na...”, ishte shprehur shkurtimisht Sahiti pasi u pyet për lojtarin.

Kështu, ditën e martë u konfirmua që edhe ish lojtari i Kombëtares U21, Uran Bislimi, ka refuzuar ftesën e ekipit A.

Kombëtarja e Zvicrës do të zhvillojë dy ndeshje zyrtare këtë muaj, fillimisht si mysafir i Spanjës (24 shtator), e pastaj do ta pres Republikën Çeke.

Lajme të ngjashme