Benzema assesi të pajtohet që Messi u shpall më i mirë, e godet FIFA-n përsëri
Duket se Karim Benzema nuk po mundet assesi ta kapërdijë faktin se Lionel Messi e mposhti në garë për futbollistin më të mirë të vitit 2022 nga FIFA, duke u munduar ta godasë shtëpinë e futbollit botëror përsëri.
Pasi nuk pranoi të ishte i pranishëm në mbrëmjen e ndarjes së çmimeve të hënën në Paris, Benzema e postoi një video në rrjetet sociale pak sekonda pasi Messi u shpall më i miri, në të cilët një person në gjuhën frëngjishte thoshte: “Gënjeshtar, po, ju gënjeshtar”.
Atë video ai e shoqëroi me përshkrimin “natën e mirë”.
Tani, fituesi i Topit të Artë e ka shfaqur përsëri dëshpërimin dhe inatin pse përfundoi në vendin e dytë në garë për çmimin lojtari më i mirë në botë gjatë vitit të fundit.

Messi, i cili e udhëhoqi Argjentinën drejt fitimit të Kupës së Botës në Katar për herë të parë që prej vitit 1986, mori më së shumti vota për ta fituar çmimin, ndërsa Kylian Mbappe përfundoi në vendin e tretë.
Postimi më i fundit i Benzemas ishte më i drejtpërdrejt se postimet e mëhershme, pasi ai i postoi arritjet e tij individuale gjatë vitit 2022.

Në fotografinë e parë, 35-vjeçari i postoi arritjet personale dhe ekipore gjatë vitit të fundit, në shenj pakënaqësie pse ai nuk e fitoi çmimin por Messi.
Në disa prej statistikave, ai tregon se i shënoi 63 gola, i dha 21 asiste dhe se është fituesi aktual i Topit të Artë.
Kjo fotografi me statistika u shoqërua nga një postim tjetër, në të cilin ai shkroi shkurtimisht “natën e mirë”, në përpjekje për të treguar se statistikat e tij flasin vet për këtë çështje.
