Belgjika ‘demolon’ Poloninë, Holanda fiton dramën ndaj Uellsit - NACIONALE

Belgjika ‘demolon’ Poloninë, Holanda fiton dramën ndaj Uellsit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Belgjikës ka shënuar fitore të thellë në shtëpi ndaj Polonisë, derisa Holanda me vështirësi triumfoi ndaj Uellsit për të vazhduar serinë e fitoreve.

Belgjika zhvilloi lojë shumë më të bukur se Polonia, duke triumfuar me rezultat të thellë 6:1.

Fillimisht, Polonia kaloi në epërsi përmes Robert Lewandowskit, pas një super aksioni të shpejtë, që shënoi nga afërsia (28').

Pas golit të pësuar, Belgjika nisi të 'tregojë dhembët' dhe arriti ta barazojë rezultatin përmes Alex Witsel që realizoi një eurogol nga distanca (42'), rezultat me të cilin edhe përfundoi kjo pjesë.

Në pjesën e dytë, Belgjika nuk tregoi aspak mëshirë duke shënuar edhe plot pesë herë të tjera.

Fillimisht, Eden Hazard gjeti për mrekulli Kevin de Bruyne i cili vendosi vendasit për herë të parë në ndeshje në epërsi (59').

Ishte i inkuadruardi Leandro Trossard që pastaj shënoi një gol të bukur pas një driblimi të mrekullueshëm (73').

I njëjti realizoi një eurogol nga distanca, duke lënë në gjumë portierin mysafir (80').

Belgjika nuk u ndal më kaq duke gjetur golin e pestë përmes Leander Dendoncker, që realizoi pas një goditje fantastike nga distanca (83').

Ndërsa fitoren e vulosi Lois Openda pas një asistimi të Thorgan Hazard në fundin e takimit (90+3').

Me këtë fitore, Belgjika ngritët në pozitën e dytë me tre pikë, derisa Polonia zbret në pozitën e tretë me tre sosh.

Raporti i ndeshjes Uells 1:2 Holandë

Tulipanët kanë vazhduar formën e mirë që pas rikthimit në stolit e tyre të trajner Van Gaal. Sot, ata mposhtën kombëtaren britanike, Uellsin, duke përforcuar primatin në grup.

Pjesa e parë ishte pa shumë emocione, ku në përgjithësi u vu re posedimi i topit, por pa shumë efikasitet, meqë aksionet e rrjedhshme apo rastet e krijuara për shënim, mungonin.

Pjesa e parë u mbyll 0:0.

Në pjesën e dytë Holanda mbante më shumë posedimin e topit. Ishte mesfushori i Atalantës, Koopmeiners, ai i cili në minutën e 50-të i dha epërsinë mysafirëve.

Kur mendohej që gjithçka po merrte fund, Uellsi gjeti zemrën dhe kurajon që ta barazojë rezultatin. Një pasim i mirë nga Roberts në minutën 90+2' shkoi te Norrington-Davies, i cili u tregua mjaft klinik afër portës, për t'i çuar në delir vendasit.

Megjithatë, holandezët nuk u demoralizuan dhe iu vërsulën portës kundërshtare për ta gjetur golin e dytë. Diçkaje të tillë ata ia dolën në minutën 90+4' përmes Weghorst, i cili me kokë shkundi rrjetën e Uellsit.

Me këtë fitore, Holanda shkon në kuotën e 6 pikëve në grupin 4 të Ligës A në Ligën e Kombeve, duke qenë kombëtarja me më së shumti pikë të grumbulluara, e pasuar nga Belgjika me 3 pikë, Polonia me 3 pikë dhe Uellsi.

Lajme të ngjashme