Befason eksperti francez: PSG i ofroi Mbappes mbi 100 milionë euro në vit plus para për nënën e tij që të krijojë agjenci
Paris Saint-Germain ende s’është dorëzuar nga gara për ta mbajtur sulmuesin Kylian Mbappe dhe po tentojnë ta bindin edhe përmes nënës së tij, njëkohësisht agjentit.
Eksperti francez Daniel Riolo derisa po fliste për “After Foot” të hënën deklaroi se Mbappes i është ofruar diçka që asnjë lojtari s’iu është ofruar më parë.
Gjithnjë në bazë të fjalëve të tij, Mbappe nëse rinovon do të fitojë mbi 100 milionë euro për vit derisa edhe nëna e tij do të fitojë para për ta hapur agjencinë e saj.
“Në këtë histori me Mbappen, duhet t’i mbajmë gjërat e qarta. Në njërën dorë, kemi një ofertë nga Roma e vjetër, Greqia e vjetër dhe piramidat e Egjiptit që i janë dhuruar lojtarit. Diçka që s’ka ndodhur asnjëherë më parë. E tejkalon vlerën e 100 milionë eurove për sezon”.
“Diçka që asnjë klub nuk do të arrijë ta rivalizojë. Do të ketë përfitime për vëllaun e tij, familjen e tij, për të gjithë... për agjencinë që nëna e tij dëshiron ta krijojë. Pra është diçka e pabesueshme”.
“Në dorën tjetër, është diçka normale, pra të themi normale kur flasim për Real Madridin. Pra është një pagë normale për yjet e futbollit”.
“Të themi rreth 30 milionë euro dhe ndoshta pak më shumë. Dhe nuk do të jetë mbreti i klubit. Pak a shumë, kjo do ta kthente në tokë. Mbappe është në mes dhe duhet të zgjedhë”, deklaroi ai.
Real Madrid i ka dhënë ultimatum Mbappes që të vendosë në muajin janar, andaj ekziston mundësia që francezi të jep një përgjigje mbi të ardhmen në ditët në vijim.