Barcelona vendos të ngrejë padi ndaj Atleticos për Griezmannin - NACIONALE

Barcelona vendos të ngrejë padi ndaj Atleticos për Griezmannin

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Barcelona e ka ndër mend të ngrejë padi ndaj Atletico Madridit për një pagesë prej 40 milionë eurove për sulmuesin Antoine Griezmann.

Griezmann, 31 vjeç, iu ribashkua Atleticos në një marrëveshje huazimi dyvjeçar në vitin 2021 dhe tani dy klubet kanë mosmarrëveshje rreth një klauzole në bazë të të cilës klubi madrilen detyrohet ta blejë sulmuesin.

Sipas ESPN, Barça beson se fakti që Griezmanni luajti mbi 45 minuta në secilën prej 30 nga 37 ndeshje që ishte në dispozicion sezonin e kaluar, nënkupton se Atletico është e obliguar ta blejë atë për 40 milionë euro.

Atletico, në anën tjetër, pretendon se Griezmann duhet të luajë patjetër mbi 45 minuta në 50 për qind të ndeshjeve për të cilat thirret gjatë dy sezoneve, jo vetëm gjatë një sezoni, që klauzola të ketë efekt.

Prandaj, Griezmanni është përdorur vetëm si zëvendësues në pjesën e dytë të ndeshjeve gjatë këtij sezoni, duke u futur në fushë në minutat 61, 62, 64, 63 dhe 61 në pesë ndeshje.

Sipas ESPN, ekipi ligjor i Barcelonës e ka rishikuar kontratën dhe është i bindur se ka të drejtë, por Atletico e interpreton ndryshe klauzolën në fjalë.

Një zëdhënës i Atleticos ka thënë për ESPN se klubi nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar nga Barcelona për ndonjë padi nga katalonasit dhe as nga ndonjë palë e tretë.

“Puna është si është”, tha Griezmann për media pasi e shënoi golin e fitores së Atleticos 2:1 kundër Portos në Ligën e Kampionëve të mërkurën.

“Nuk është në duart e mia. Dua të luaj më shumë, por do të jap gjithçka për minutat që m’i jep trajneri. Jam i lumtur që jam këtu dhe gjëja e vetme që dua është të jap gjithçka për këtë klub, për Diego Simeonen dhe për tifozët”, shtoi ai.

Lajme të ngjashme