Atletico Madrid triumfon me shumë vështirësi në derbin kundër Valencias
Atletico Madrid ka shënuar fitore tejet të rëndësishme dhe mjaftë të vështirë në udhëtim te Valencia.
"Los Rijoblancos" me rezultat minimal 0:1, në kuadër të xhiros së tretë në La Liga.
Atletico Madrid e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme duke shënuar pas vetëm katër minutave, me anë të sulmuesit Alvaro Morata, por që goli u anulua për pozitë jashtë loje.
Tutje, Valencia arriti ta gjejë golin përmes Yunus Musah që shënoi një gol tejet të bukur me një goditje të fuqishme, mirëpo pas rishikimit të VAR-it edhe kjo u anulua shkaku i një faulli.
Vendasit pastaj mbeten me 10 lojtarë në fushë kur Thierre Correia u ndëshkua direkt me karton të kuq, por sërish VAR ndërhyri për ta ndryshuar këtë vendim.
Kësisoj, pavarësisht rasteve të shumta dhe aksioneve, asnjëra skuadër nuk i konkretizoi rastet, prandaj epilogu i kësaj pjese doli të jetë 0:0.
Edhe në pjesën e dytë gjithçka ishte e barabartë, derisa u inkadrua në fushë Antoine Griezmann për të bërë ndryshimin.
Francezi dy minuta pasi hyri në fushë, me një goditje të bukur e dërgoi topin në rrjetë edhe pse u devijua nga Guorgi Mamardashvili për t'i dhënë epërsinë gjigantit madrilen (66').
Në minutat e mbetur, gjithçka ishte e baraspeshuar me Valencian që sulmonte më shumë, por mysafirët u mbrojtën në mënyrë fenomenale.
Mysafirët në fakt shënuan edhe disa minuta pa përfunduar koha e rregullt me anë të sulmuesit Cunha që realizoi me kokë pas një harkimi të Carrascos, mirëpo u anulua sërish për pozitë jashtë loje.
Kështu, Atletico merr fitoren e dytë në La Liga këtë edicion, duke u ngritur në pozitën e gjashtë në tabelë me gjashtë pikë të mbledhura, ndërsa Valencia renditët në pozitën e 14-të me tre sosh.
Në xhiron e radhës, Atletico Madrid do të ketë një tjetër sfidë të vështirë, si mysafir i Real Sociedadit, derisa Valencia do ta pres në shtëpi Getafen.