Barcelona e ‘demolon’ Antwerpin e Mujës, Man City mposht Crvena Zvezden
Barcelona ka shënuar fitore të thellë ndaj Royal Antwerpit (5:0), derisa Manchester City e nisi në stil kampioni duke triumfuar kundër klubit serb Crvena Zvezda.
Katalunasit ishin shumë herë të mirë se kampioni i Belgjikës, ku nga minuta e parë debutoi sulmuesi shqiptar Arbnor Muja.
Joao Felix hapi serinë e golave pas vetëm 11 minutave lojë, duke realizuar pas një asistimi të Gundoganit.
Portugezi vazhdoi me formën e mirë duke gjetur për mrekulli të harruar Robert Lewandowskin, i cili e kishte të lehtë të shënonte vollej nga afërsia (19’).
Tre minuta më pas Bataille shënoi autogol, ku në përpjekje për ta larguar harkimin e Raphinhas e dërgoi brenda rrjetës (22’).
Barcelona s’u ndalë më kaq duke shënuar edhe golin e katërt përmes Gavit, ku talenti spanjoll përfitoi nga një top i kthyer dhe shënoi nga afërsia.
Fitoren e vulosi vetë Felix me një gol me kokë pas harkimit të Raphinhas (66’).
Në anën tjetër, kampioni i Evropës e ka nisur më së miri mbrojtjen e titullit duke mposhtur në shtëpi Crvena Zvezden me rezultat 3:1.
“Qytetarët” shkatërruan me lojë ekipin serb duke pasur mbi 22 goditje në pjesën e parë, por që mysafirët disi përfunduan në epërsi.
Ishte Osman Bukari që realizoi nga afërsia pasi mori një asistim të bukur të Ivanicit (45+2’).
Sidoqoftë, në pjesën e dytë Erling Haaland gjeti për mrekulli Julian Alvarez që barazoi rezultatin (47’).
Argjentinasi vahzdoi me këtë formë duke përmbysur epërsinë me një eurogol nga gjuajtja e lirë (60’).
Kurse, fitoren e vulosi mesfushori Rodri me një goditje të fuqishme nga distanca (73’).