Barça s'mund të shesë fanella të Lewandowskit sepse i mungon shkronja "w" - NACIONALE

Barça s'mund të shesë fanella të Lewandowskit sepse i mungon shkronja "w"

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Një problem i papritur i ka ndodhur Barcelonës. Klubi ka bllokuar shitjet e fanellave të Lewandowskit, sepse i mungon shkronja "w".

Blerja e kartonit të Lewandowskit ka qenë e shumëpritur për tifozët blaugrana. Rreth tij është ndjerë një entuziazëm i madh, i cili mungonte tani e një kohë.

Pritshmëritë janë krijuar të larta. Afrimi i tij nënkupton se Barcelona pret që të rikthehet furishëm në garë për titull, si dhe për trofetë tjerë - sipas drejtuesve të klubit.

Mungesa e një shkronje bllokon shitjen e fanellave të Lewandowskit

Tashmë fanella më e kërkuar nga tifozët e Barcelonës është pikërisht ajo e yllit polak. Sidoqoftë, dëshira e tyre nuk po mund të realizohet, për një arsye në thelb banale, por ja që rezulton të jetë e tillë: mungon shkronja "w".

Shitja e fanellës së Lewandowskit projektohej si një infuzion i mirë financiar, ku me ç'rast të hyrat në arkat e Barcelonës dhe të sponsorit të saj të ri, do të ishin të shumta.

Për të arritur një gjë të tillë duhet pritur deri në përmirësim të kësaj pengese teknike, i cili për momentin la një shije të hidhur për tifozët e klubit katalonas.

Mbiemri i Lewandowskit është i përbërë nga shkronja "w" në dy raste. Si rrjedhojë, në mungesë të shkronjës "w", në dyqanet zyrtare të Barcelonës tifozët s'po arrinë dot që ta kompletojnë personalizimin e fanellave me emrin e yllit të ri të tyre të ri.

Mungon shkronja "w", por jo edhe mikpritja mbresëlënëse

Pavarësisht problemit të sipërpermendur, Barcelona po vazhdon ta promovojë me mjaft krenari blerjen e kartonit të Robert Lewandowskit.

Madje, presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka zgjedhur gjuhën amtare të Lewandowskit, atë polake, për ta prezantuar atë si afrimin më të ri skuadrës.

"Faleminderit dhe mirë se erdhe në Barcelonë"
, ishin fjalët e tij të para që zgjodhi t'i thoshte në gjuhën polake, para se ta vazhdonte fjalimin në spanjisht.

Ky ishte një tregues i radhës që Barcelona e ka vlerësuar tej mase qasjen e sulmuesit 33-vjeç, i cili me çdo kusht e ka pritur klubin blaugrana deri kur ka arritur t'i zhbllokojë negociatat me Bayernin, të cilat kanë zgjatur disa javë, e ku janë hasur shumë vështirësi.

Në anën tjetër, Lewandowski është shfaqur shumë i lumtur para gazetarëve dhe tifozëve të Barcelonës, ku deklaroi se tashmë pret të fitojë trofe me skuadrën e drejtuar nga Xavi.

Ai i është bashkuar pjesës tjetër të ekipit që po qëndron në Miami, në përgatitje për fillimin e sezonit të ri në La Liga.

Lajme të ngjashme