Lewandowski: Barcelona është rikthyer
Robert Lewandowski ka deklaruar se Barcelona është rikthyer, pasi iu bashkua ekipit katalonas në kampin parasezonal në Shtetet e Bashkuara.
Sulmuesi polak Lewandowski, i cili e kishte edhe një vit kontratë me Bayern Munich, iu bashkua Barçës në një marrëveshje prej 50 milionë eurove dhe thotë se trajneri Xavi Hernandez ndikoi shumë në vendimin e tij.
Ai e nënshkroi marrëveshjen me Barçën këtë javë dhe iu bashkua skuadrës së Xavit në stërvitje në SHBA.
Pas tetë sezoneve të shkëlqyera në Bundesligë, Lewandowski tha se gjithmonë ka dashur të luajë për një klub të madhe në La Liga, si dhe e lartësoi Xavin, i cili e mori drejtimin e skuadrës sezonin e kaluar kur katalonasit ishin në vendin e nëntë dhe i udhëhoqi drejt vendit të dytë në La Liga.
“Ishte shumë e lehtë të vendosja për të ardhur te Barça”, tha Lewandowski.
“Barça është rikthyer”, këmbënguli ai.

“Mendoj se unë mund ta ndihmoj ekipin për t’u kthyer në majat e futbollit evropian. Kam biseduar me Xavin dhe prej fillimit e di se çfarë është në mendjen e tij, idetë e tij. Për mua ishte e lehtë të vendosja për të ardhur këtu sepse jam njeri që dëshiron të luajë, i cili dëshiron të fitojë, dhe mendoj se me Xavin kjo është shumë e mundur”.
Ai shtoi: “Ai e di saktësisht si ta stërvitë Barcelonën sepse ai ka qenë lojtar i mahnitshëm dhe tani është trajneri shumë i mirë, po ashtu. Ai ka një të ardhme të mahnitshme dhe unë dua të jem pjesë e saj”.
Lewandowski, i cili e fitoi çmimin lojtari më i mirë i vitit i FIFA-s për dy vite radhazi, është golashënuesi më i mirë në historinë e Bundesligës gjermane. Ai i shënoi 348 gola për Bayernin gjatë kohës atje, duke e fituar titullin çdo vit dhe Ligën e Kampionëve në vitin 2020.
Ai ka bërë përpjekje ta shtyjë Bayernin ta pranojë ofertën e Barcelonës që prej majit dhe tani ndihet i lehtësuar që është pjesë e gjigantit të La Ligës.
“Më në fund jam këtu, jam shumë i lumtur që jam në Barcelonë. Ditët e fundit ishin shumë të gjata, por në fund gjithçka u rregullua.”