Ballkani u kualifikua në grupet e Ligës së Konferencës, por e ardhmja e Rrahmanit dhe Krasniqit vazhdon të jetë në pikëpyetje
Sulmuesit Albion Rrahmani dhe Ermal Krasniqi padyshim kanë qenë ndër më meritorët për avancimin e Ballkanit në grupet e Ligës së Konferencës, por ekziston mundësia që të largohen nga skuadra kosovare pa përfunduar afati kalimtar, kështu thotë menaxheri i tyre, Kastriot Telaku.
Ish “Lewandowski i Malishevës”, ‘shpërtheu’ në garat evropiane duke shënuar plotë shtatë gola si dhe dhuruar një asistim në gjashtë paraqitje.
Golat e tij ishin kyç në historinë që bëri kampioni i Kosovës, gjë që befasuan të gjithë, pasi gjatë tërë edicionit të kaluar ishte i qetë, duke mos zhvilluar aq shumë minuta sa pritej.
Kurse, Krasniqi nga ana tjetër kaloi një edicion të mrekullueshëm, e këtë formë e mbajti edhe në ndeshjet e Ligës së Konferencës, duke shënuar dy herë dhe kontribuar me tre asistime në gjashtë ndeshje pavarësisht rasteve të shumta të humbura.
Falë këtyre paraqitjeve të mira, interesim nga shumë klube ka pasur për dy lojtarët, gjë të cilën e konfirmoi edhe menaxheri i tyre, Kastriot Telaku në një bisedë për gazetën Nacionale, duke e lënë të hapur mundësinë e largimit pa përfunduar afati veror.
“Ende ka kohë deri në përfundimin e afatit kalimtar pasi që afati veror në disa vende shkon deri më 15 shtator, prandaj të shohim shpresoj që do të kalojnë në Evropë”, tha fillimisht ai.
I pyetur për klubet që kanë shprehur interesim për dyshen, Telaku nënvizoi se ka shumë të interesuara, por që edhe Ballkani ndoshta nuk do t’i lejojë të largohen pasi tani luajnë në Evropë.
“Nuk ka asgjë konkrete. Për interesim, ka pasur nga çdo shtet i Evropës. Mirëpo, kanë qenë vetëm llafe nuk është ndonjë klub i madh, që ia vlen t’i përmendet emri. Të shohim, tani meqenëse edhe Ballkani ka dal në Evropë, klubi mund të hezitojë të lejojë të largohen. Momentalisht s’ka asnjë ofertë zyrtare”.
Në fund, ai la të hapur mundësinë e qëndrimit edhe për disa muaj derisa të hapet afati dimëror i janarit.
“Falë këtyre paraqitjeve të mira vlera e tyre është rritur, prandaj është më problem. Ekziston mundësia të qëndrojnë, ndoshta edhe deri në afatin kalimtar të janarit”, deklaroi Telaku për Nacionalen.

Ballkani gjatë ditës së enjte mësoi kundërshtarët në shortin e Ligës së Konferencës, duke shmangur klubet e mëdha evropiane dhe qenë në grupin G me klube si Slavia Praha, CFR Cluj dhe Sivaspor.
Kampioni i Kosovës e nis këtë aventurë evropiane si nikoqir i CFR Cluj në “Fadil Vokrri” më 8 shtator, derisa një javë më vonë do të përballet Slavia Prahen (15 shtator).
Pastaj do të jenë dy javë pushim, dhe më 6 tetor do të udhëtojnë në Turqi për përballjen ndaj Sivasspor, skuadër të cilën pastaj do ta presin në Prishtinë një javë më vonë (13 tetor).
Dy ndeshjet e fundit, Ballkani i zhvillon në fundin e tetorit dhe fillimin e nëntorit, ku fillimisht e pret Slavia Prahen më 27 tetor, derisa në xhiron e fundit do të jetë mysafir i Cluj (3 nëntor).
