Ballkani triumfon në derbin ndaj Prishtinës, fiton edhe Suhareka
Ballkani e ka nisur me fitore nën urdhrat e trajnerit të ri, duke mposhtur në shtëpi Prishtinën, derisa Suhareka arkëtoi pikët e plota si mysafir i Ferizajt.
Nën urdhrat e Artim Pollozhanit, “Xhebrailat” fituan pikët e plota si nikoqir i Prishtinës me rezultat minimal 1:0.
Derbi ishte shumë i hapur nga fillimi, me Ballkanin që mbajti posedimin por që rastet ishin pak a shumë të barabarta.
Heroi i Ballkanit në këtë derbi ishte Bernard Karrica që shënoi një gol të bukur, i cili ka vlerën e tre pikëve.
Prishtina gjithashtu kishte disa mundësi shënimi por rezultuan të jenë larg finalizimit.
Kësisoj, Ballkani qëndron si lider në Superligën e Kosovës me 10 pikë, derisa Prishtina zë vendin e tretë me shtatë sosh.
Në anën tjetër, Suhareka e ka fituar ndeshjen e vështirë si mysafir i Ferizajt, po ashtu me rezultat 0:1.
Edhe kjo përballje doli të jetë mjaftë interesante, me shumë raste por që vetëm njëra u finalizua.
Liridon Fetahaj ishte golashënuesi i vetëm, duke realizuar një super vollej pas asistimit të Adem Maliqit (29’).
Suhareka tani zë pozitën e dytë në tabelë me 10 pikë, aq sa ka Ballkani derisa Ferizaj renditet në vendin e shtatë me katër sosh.