Ballkani e 'shkatërron' Ferizajn, Drita triumfon me vështirësi ndaj Dukagjinit
Kampioni i Kosovës, Ballkani, është kthyer te fitoret, pasi e ka mposhtur me rezultat të thellë 4:0 Ferizajn. Në anën tjetër, Drita me shumë vështirësi mori tre pikë në udhëtim te Dukagjini.
Xhebrailat që humbën një javë më parë nga Drita 1:0, sot janë kthyer me paraqitje fantastike.
Skuadra e Artim Pollozhanit shënoi shumë herët golin e parë. Sunday Adetunji realizoi për 1:0 vetëm pas 10 minutave lojë.
Giovani Ribeiro e dyfishoi rezultatin në minutën e 36-të me një gol të jashtëzakonshëm dhe me rezultatin 2:0 u mbyll pjesa e parë.
Ribeiro e shënoi golin e dytë personal në minutën e 54-të për rezultatin 3:0, ku sërish realizoi gol të bukur.
Për rezultatin përfundimtar 4:0 u kujdes Adetunji, që edhe për të ishte goli i dytë në këtë ndeshje.
Kampioni i Kosovës tani momentalisht ka 13 pikë, aq sa kanë Llapi, Malisheva dhe Suhareka që gjenden në krye të renditjes.
Në ndeshjen tjetër që u zhvillua në të njëjtën kohë mes Dukagjinit e Dritës, mysafirët fituan 2:0.
Të dy golat e takimit u shënuan në pjesën e dytë.
Kastriot Selmani e kaloi në epërsi skuadrën e Zekirja Ramadanit në minutën e 77-të, i asistuar nga Arb Manaj.
Për rezultatin përfundimtar 2:0 shënoi sulmuesi Blerim Krasniqi katër minuta para fundit të takimit.
Drita tani ka 12 pikë në rënditje me pesë ndeshje të zhvilluara, pasi ka dy ndeshje më pak për shkak të angazhimeve që kishte në kualifikimet për gara evropiane.