Ballkani e mirëpret sot Shkupin me synim për ta shkuar historinë e futbollit kosovar në Evropë
Ballkani do të kërkojë ta shkruajë historinë e futbollit kosovar në Evropë duke u bërë klubi i parë që kualifikohet në një garë të madhe evropiane kur të përballet me Shkupin sonte në ndeshjen e kthimit të play-off’it për Ligën e Konferencës në Prishtinë.
Kampioni i Kosovës e bëri një hap të madh drejt arritjes së synimit duke e mundur Shkupin në ndeshjen e parë në udhëtim dhe do t’i mjaftojë edhe barazimi për t’u kualifikuar në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës sonte në Fadil Vokrri.
Asnjë klub kosovar nuk ka arritur të kualifikohet në një garë evropiane që prej kur Kosova u pranua në UEFA më 2016 dhe më së largu në kualifikime ka shkuar pikërisht Ballkani, duke e arritur play-off-in e Ligës së Konferencës këtë vit.
Trajneri Ilir Daja, i cili e udhëhoqi klubin nga Suhareka drejt titullit të parë të kampionit të Kosovës sezonin e kaluar, e pranon se do të jetë e vështirë për skuadrën e tij dhe kërkoi nga lojtarët e tij të mos kaplohen nga emocionet.

“Mendojmë që nesër do të kemi ndeshje të vështirë. E vështirë për lojtarët sepse stafi nuk ka shumë vështirësi, vetëm duhet të ulë dozën e emocioneve, ta menaxhoj stresin që lojtarët të japin më të mirën e mundshme”, tha Daja në një konferencë për shtyp të mërkurën.
55-vjeçari dëshiron që lojtarët e tij të djersiten mirë për ta përmbushur ëndrrën e kualifikimit në garën e kategorisë së tretë të garës së UEFA-s.
Ai shtoi: “Nuk ka favorit direkt, dy skuadra pothuajse të barabarta. Kemi avantazh sepse fituam ndeshjen e parë, shpresojmë të na mbështesin tifozët. Duhet të djersitemi nëse mendojmë t’i shtyjmë ëndrrat përpara. Nuk e kemi parashikuar që në start të arrijmë këtu.”

Dështimi në kualifikime për Ligën e Kampionëve e çoi klubin kosovar në kualifikime për Ligën e Konferencës ku gjatë rrugës i mposhti klubet si La Fiorita dhe Klaksvik për ta arritur play-off-in përmes rrugës së kampionit.
Asnjë klub kosovar nuk ka arritur deri në këtë fazë në kualifikime për garat evropiane dhe Ballkani është afër t’i kalojë pritshmëritë për ta siguruar pjesëmarrjen në garën e Ligës së Konferencës.

