Ballkani-Drenica dhe Drita-Prishtina: Në Suharekë dhe në Gjilan pritet 'luftë' për çdo top
Dy përballje tejet interesante janë në program për t'u zhvilluar ditën e sotme, e dielë, në kuadër të xhiros së 26 të Superligës së Kosovës në futboll.
Në njërën nga dy ndeshjet, Drita pret në shtëpi Prishtinën, në një përplasje që pritet të jetë tejet interesante për shkak të renditjes aktuale në tabelë.
Drita nuk e ka luksin të lëshojë pikë, nëse dëshiron të mbetet në garë për titull, pasi aktualisht pozicionohet në vendin e tretë, me 43 pikë, tetë më pak se lideri, Ballkani.
Prishtina, ndërkohë, është vetëm tri pikë larg zonës së barazhit dhe, gabimet, më së paku i duhen për të përforcuar ndonjërën nga pozitat që sigurojnë mbijetesën.
Kryeqytetasit aktualisht zënë vendin e gjashtë ne tabelë, me 32 pikë, vetëm tri më shumë se Dukagjini, i cili është në zonën e rrezikshme. Në përballjen tjetër, e cila luhet në po të njejtën kohë, Ballkani është nikoqir i Drenicës.
Suharekasit kanë mundësi të mirë të thellojnë distancën në krye të tabelës, me rivalin më të afërt, Gjilanin.
Ballkani aktualisht ka 51 pikë dhe zë vendin e parë, me dy pikë më shumë se Gjilani, por djelmoshat e Ismet Munishit kanë një ndeshje më shumë të luajtur.
Në anën tjetër, Drenica është vetëm një pozitë më lartë se zona e rrezikshme, teksa zë vendin e shtatë në tabelë me 32 pikë, tri më shumë se Dukagjini, por ky i fundit ka një ndeshje më shumë të luajtur.
Kujtojmë se në përballjet e ditës së djeshme, Gjilani barazoi pa gola në Malishevë, Dukagjini shokoi Llapin duke e mposhtur 2-1 si mysafir, ndërsa Feronikeli barazoi me Ulpianën.
Pas ndeshjes, trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi u ankua në orarin e ngjeshur të skuadrës së tij, duke thënë se një orar i tillë është anomali edhe për gjigantët e Premier Ligës.
"Ne i kemi zhvilluar 5 ndeshje brenda 13 ditëve. Luajtëm në mesjavë dhe tash pas dy ditëve. Dy herë kundër një ekipit të fortë si Llapi," u shpreh fillimisht Munishi.
"Kështu nuk ka as në Premierligë. As Manchester City as Chelsea e Liverpooli nuk luajnë kështu shpesh. Pse të luajmë sot e jo të dielën apo të hënën?!
”Dikush t'i ndihmojë Malishevës ta ndërrojë këtë bar, sepse nuk luhet në këtë terren".