Babai i Messit ia shuan çdo shpresë Barcelonës për kthimin e ëndërruar të kampionit të botës në Camp Nou
Babai i Lionel Messit, Jorge, ka folur për të ardhmen e të birit të tij, ku ndër të tjera ka thënë se nuk pret që fituesi i Kupës së Botës të kthehet të luajë sërish për ish-klubin e tij, Barcelonën.
E ardhmja e Messit mbetet e pasigurt me argjentinasin që i skadon kontrata me Paris Saint-Germain në fund të sezonit. Ka pasur spekulime se Messi mund të kthehet te ish-klubi i tij Barcelona, por babai i tij i ka hedhur poshtë këto fjalë dhe thotë se nuk ka qenë në kontakt me presidentin katalunas, Joan Laporta.

"Unë nuk mendoj se Leo do të luajë përsëri për Barçën," tha ai për Sport. "Kushtet nuk janë plotësuar. Ne nuk kemi folur me Laportën dhe nuk ka asnjë ofertë deri më tani."
PSG-ja ka konfirmuar se bisedimet për kontratën e re me Messin janë duke vazhduar dhe se klubi dëshiron ta mbajë sulmuesin në kryeqytetin francez. Megjithatë, kampionët e Ligue 1 janë paralajmëruar gjithashtu nga ish-futbollisti francez Jerome Rothen se vazhdimi i kontratës së Messit do të ishte një "ide shumë e keqe". Inter Miami i MLS-së është gjithashtu një nga skuadrat që është e uritur për ta transferuar 35-vjeçarin si një lojtar të lirë.

Argjentinasi dhe PSG do të kthehen në aksion të shtunën në Ligue 1 kundër Lille, pas humbjes me rezultat minimal që pësoi në ndeshjen e parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve ndaj Bayern Munichut.

