Babai i Arbnor Mujës tregon se pse djali i tij zgjodhi Shqipërinë: Nuk e gjente veten te Kosova - NACIONALE

Babai i Arbnor Mujës tregon se pse djali i tij zgjodhi Shqipërinë: Nuk e gjente veten te Kosova

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja shqiptare do të luajë dy ndeshjet e radhës në kualifikueset për Kampionatin Evropian 2024, ku pjesë e skuadrës për herë të parë do të jenë edhe dy kosovarët, Arbnor Muja e Mirlind Daku, që ngjallën jo pak reagime në mediumet shqipfolëse.

Arbnor Muja, ish-reprezentues i Kosovës, tani është pjesë e Shqipërisë, pasi siç thotë babai i tij Naseri, ai nuk e gjente veten te ‘Dardanët’.

Në një intervistë për mediumin shqiptar SportEkspress, Naser Muja tregoi se si erdhën deri te zgjedhja përfundimtare, që ishte Kombëtarja e Shqipërisë.

“Shqipëria dhe Kosova janë një, ne kemi luajtur për 15 vite në një Kombëtare bashkërisht. Është një ekip i shtëpisë sonë, i zemrës sonë, jo i një shteti tjetër. Arbnori nuk mund ta gjente veten te Kosova, nuk u përshtat dot. Nuk e di nëse i ka pasur fajet trajneri që ka qenë apo tjetërkush. Më pyeti: ‘Çfarë të bëj?’. I thashë: ‘Zgjedhja është e jotja, Shqipëria është shteti jonë gjithashtu’. Arbnori vendosi dhe Shqipëria do të ketë një djalosh që do të jap gjithë forcën e tij për këtë Kombëtare. Kur erdhi në Tiranë për të bërë pasaportën, Arbnori është takuar edhe me Sylvinhon, trajneri e vlerëson shumë. Kam një ndjesi që nëse Arbnori debuton kundër Çekisë, do të shënojë. Është i pandalshëm në ndeshje të mëdha. Kemi shumë shanse për t’u kualifikuar në Evropian, për mua ne do të kualifikohemi. Dua që Arbnori të më kthehet me një gol me fanellën e Shqipërisë”.

Kujtojmë se muaj më parë, tanimë ylli i Antwerpit, pati një polemikë me ish-trajnerin e Kombëtares së Kosovës, ku ky i fundit thoshte se lojtari po kërkonte garanci për minuta dhe se këtë nuk mund t’ia jepte.

Lajme të ngjashme