Giresse: Arbnor Muja kërkoi garanci të luante titullar te Kosova - NACIONALE

Giresse: Arbnor Muja kërkoi garanci të luante titullar te Kosova

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Trajneri i Kosovës, Alain Giresse, ka shpjeguar mungesën e Arbnor Mujës në grumbullimin e ekipit kombëtar për ndeshjet kualifikuese për Euro 2024 këtë muaj, duke thënë se ylli i Antwerp kërkoi garanci të luante titullar.

Kosova do të përballet me Rumaninë dhe Bjellorusinë gjatë këtij muaji në Grupin I kualifikues për turneun e verës së ardhshme në Gjermanisë.

Trajneri Alain Giresse i ftoi 23 futbollistë, por në mesin e tyre nuk ishte ish-ylli i Trepçës ’89 dhe Dritës Muja, duke shkaktuar polemika të shumta në vend.

Giresse tregoi se e kishte ftuar Mujën, por nuk i kishte premtuar se do të luante.

Arbnor Muja është thirrur por nuk ka ardhur në ndeshjen miqësore. Në mars Muja ka qenë pjesë e ekipit të Kosovës. Sa i përket këtyre ndeshjeve që i kemi tani, Muja ka kërkuar garanci që të luajë titullar. Unë i kam treguar atij se nuk ka garanci dhe më mirë mos të vijë e pastaj mos të luajë”, shpjegoi Giresse të premten në një konferencë për media.

Kosova e nisi shumë keq fushatën e dytë kualifikuese për një turne evropian, pasi barazoi me rivalin e drejtpërdrejt për vendin e dytë, Izraelin, para se të pësonte barazim tronditës me Andorrën në Prishtinë.

Si pasojë, verdhekaltrit kanë dy pikë pas dy ndeshjeve, duke mbetur mbrapa liderëve Zvicrës dhe Rumanisë që kanë nga gjashtë pikë.

Ndeshja e 16 qershorit me Rumaninë në Fadil Vokrri është në veçanti e rëndësishme, pasi një disfatë e mundshme do ta linte ekipin dardan shumë mbrapa për të qenë në gjendje të luftojë për një vend që çon në Evropian.

Tri ditë më vonë, të hënën më 19 qershor, Kosova udhëton drejt Budapestit për t'u përballur me Bjellorusinë.

Lajme të ngjashme