Aubameyang: Puna ime në Premierligë nuk ka përfunduar akoma - NACIONALE

Aubameyang: Puna ime në Premierligë nuk ka përfunduar akoma

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Pierre-Emerick Aubameyang është rikthyer në Premierligë pas një përvoje disa mujore te Barcelona. Ai sërish do të luajë në Londër, por kësaj radhe te Chelsea.

Aubameyang me Arsenal ka pasur një periudhë shumë të mirë të karrierës së tij. Përjashto muajt e fundit ku ishte në krizë, katër-vjeçari i tij te "topçinjtë" ka qenë më se solid.

I tunduar nga një transferim në "Camp Nou", ai nuk ia doli që të jetë në shkallën e paraqitjeve të dëshiruara me fanellën blaugrana.

Barcelona dhe Chelsea arritën një marrëveshje për të shkëmbyer Alonson dhe Aubameyang, duke shtuar 12 milionë euro në arkat e klubit katalonas. Sulmuesi 33-vjeçar është dukur tejet i ngazëllyer me këtë ujdi të arritur, pasi do të mund të luajë sërish në kampionatin që ka lënë më së shumti mbresa: Premierligë.

Fjalët e para të Aubameyang si lojtar i Chelseat

Tani, me afrimin e Aubameyang, skuadra londineze pret që të llogarisë në përvojën, zhdërvjelltësinë dhe përgatitjen që ka lojtari për ndeshjet që luhen në kampionatin anglez, si dhe në kompeticionet tjera ku merr pjesë skuadra.

"Jam vërtet i lumtur. Është nder të jem pjesë e kësaj skuadre dhe mezi pres ta filloj rrugëtimin këtu. Puna ime në Premierligë akoma nuk ishte kompletuar, për këtë arsye është kaq mirë që jam rikthyer. Jam njëmend i emocionuar"
, deklaroi Aubameyang.

Transferimi i tij te Chelsea ngjalli një dëshpërim të madh te tifozët e Arsenalit, pasi siç dihet rivaliteti mes dy klubeve është mjaft i ndjerë gjatë viteve të fundit.

Thomas Tuchel kishte nevojë për një sulmues shtesë në organikën e tij, përkundër se alternativat nuk mungojnë. Një sulmues me përvojë në çdo rast i nevojitej Chelseat. Më herët kishin vëzhguar situatën e Lewandowskit, por pa arritur që të gjenin marrëveshje me Bayern Munchen.

Rreth faktit se do të kthehet të jetë në dispozicion të trajnerit Tuchel njësoj siç ndodhte dikur sa ishte sulmues i Dortmund, ai komentoi shkurt: "Po, është ndjesi shumë e mirë".

Pronari i Chelseat komenton afrimin e Aubameyangut

Për faqen zyrtare të Chelseat, pronari i saj, Toddy Bohly, ka komentuar në superlativ afrimin e Aubameyang, duke mos kursyer komplimentet për të.

"Aubameyang është një sulmues elitar, me një përvojë të dëshmuar në Premierligë. Afrimi i tij përforcon organikën e skuadrës sonë, duke na dhënë më shumë alternativa në sulm. Jemi entuziastë që kemi Pierre-Emerick pjesë të skuadrës me ne në epokën e re të Chelseat. Mezi presim të punojmë me të", deklaroi ai.

Chelsea ka qenë klubi më aktiv në tregun e lojtarëve në Premierligë. Plot 281 milionë euro ka shpenzuar pronari i ri për t'i sjellë freski ekipit. Blerja më e shtrenjtë ka qenë Fofana në vlerë prej 80 milionë eurosh.

Cucurella ka qenë një tjetër afrim tjetër i kushtueshëm, në vlerë prej 65 milionë euro. Raheem Sterling mbetet lojtari që ka ngjallë më së shumti entuziazëm me kalimin e tij në radhët e skuadrës së drejtuar nga Tuchel, për 56 milionë euro.

Po ashtu, një tjetër lojtar i çmuar që iu bashkua Chelseat është edhe mbrojtësi Koulibaly, që i kushtoi arkave të klubit 38 milionë euro. Dy lojtarët tjerë të rinj që u blenë nga skuadra ishte Chukwuemeka për 18 milionë euro, Slonina 18 milionë euro, si dhe së fundi Aubameyang për 12 milionë euro.

Lajme të ngjashme