Aubameyang plaçkitet në sytë e gruas nga persona të armatosur në shtëpinë e tij në Barcelonë
Raportohet se sulmuesi i Barcelonës, Pierre-Emerick Aubameyang, është plaçkitur dhunshëm nga persona të armatosur në shtëpinë e tij në qytetin spanjoll, në orët e hershme të mëngjesit të së hënës.
Gazeta spanjolle El Pais raporton se të paktën katër burra u futën me forcë në shtëpinë e Aubameyangut dhe e kërcënuan atë me armë zjarri në prani të bashkëshortes.
Raportohet se hajnat ia dolën të ikin me stoli të vlefshme të bashkëshortes së tij.

Aubameyang – i cili iu bashkua Barçës nga Arsenali në janar – u sulmua nga plaçkitësit në sytë e bashkëshortes së vet Alysha Behague, të cilët ikën nga vendi i ngjarjes me një Audi A3, sipas gazetës spanjolle.
33-vjeçari dhe Behague janë bashkë për më shumë se një dekadë, prej se u takuan në kohën kur Aubameyang luante për Milanin në Serie A. Ata i kanë dy fëmijë së bashku, Curtys 11 vjeç dhe Pierre 6 vjeç.
Nuk dihet nëse fëmijët ishin në shtëpi gjatë plaçkitjes.

Behague e kishte lajmëruar policinë shumë shpejt, e cila është në kërkim të plaçkitësve.
Ky incident ndodhi në një kohë kur po flitet se Aubameyang mund të kthehet në Premierligë pas interesimit të Chelseat për të, vetëm shtatë muaj pasi u largua nga Arsenali si pasojë e mosmarrëveshjeve me trajnerin Mikel Arteta.
Aubameyang njihet si adhurues i veturave sportive dhe luksoze dhe për bartjen e stolive të shtrenjta.
Kjo nuk është hera e parë që lojtarët e Barcelonës bien viktimë e plaçkitësve, pasi së fundmi Robert Lewandowskit iu vodh një orë e dorës në vlerë rreth 70 mijë euro pranë qendrës stërvitore të klubit.
Vitin e kaluar, Ansu Fati ishte duke e shikuar skuadrën e tij duke luajtur kundër rivalit Espanyol në katin e parë kur shtëpia e tij u plaçkit.
Raportohej së në shtëpinë e tij, në të cilën ndodheshin edhe anëtarë të tjerë të familjes, hajnat vodhën para, ora dore dhe stoli të tjera të çmuara.
