Atalanta ia bën 'bajat' Liverpoolit, Roma fiton në San Siro ndaj Milanit - NACIONALE

Atalanta ia bën 'bajat' Liverpoolit, Roma fiton në San Siro ndaj Milanit

2 javë më parë

nga NACIONALE

Kanë përfunduar ndeshjet e para çerekfinale të Ligës së Evropës, ku nuk kanë munguar befasitë. Atalanta ka shënuar fitore të thellë 3:0 në udhëtim ndaj Liverpoolit, Roma fitoi në San Siro 1:0 ndaj Milanit, ndërsa Bayer Leverkusen e Benfica fituan në shtëpi.

Ndeshja kryesore e natës ishte ajo mes Milanit e Romës e zhvilluar në San Siro, me skuadrën e Stefano Piolit që pati më shumë nga loja, por ishin shumë të dobët në finalizim të rasteve.

Një gol i pjesës së parë dha epilogun final, me Romën që ndeshjen kthyese e zhvillon në Olimpico pranë tifozëve të saj.

Goli i vetëm i takimit u shënua në minutën e 17-të, kur Paulo Dybala harkoi nga këndi, me Gianluca Mancinin që shënoi me kokë për 1:0.

Befasia e natës së sotme ishte Atalanta, që shkatërroi Liverpoolin në Anfield, me Scamaccan që shkëlqeu me dy gola në këtë takim.

Sulmuesi italian hapi serinë e golave në minutën e 38-të kur çoi skuadrën e tij në pushim me epërsinë 1:0.

Skuadra e Jurgen Klopp ndonëse kishte disa raste dhe dominimin në posedim, nuk lanë fare shenjë në këtë takim, ndërsa të udhëhequrit e Gasperinit shënuan edhe dy gola të tjerë.

Scamacca dyfishoi në minutën e 60-të, pas një asistimi të bukur nga De Keteleare.

Ndërsa për rezultatin përfundimtar shënoi Mario Pasalic, që shfrytëzoi një top të kthyer nga portieri për 3:0.

Atalanta tashmë është me një këmbë në gjysmëfinale, duke ditur se takimi kthyes pas një jave zhvillohet në Itali.

Bayer Leverkusen ka vazhduar serinë e fitoreve, duke triumfuar 2:0 ndaj West Ham, me golat e shënuar nga Hofmann (76') dhe Boniface (90+'), duke shkuar qetësisht në ndeshjen e kthimit në Angli.

Skuadra e Xabi Alonsos nuk ka asnjë humbje në këtë sezon në të gjitha garat, me Bundesligën që pothuajse e ka fituar, ndërsa është në garë për tripletë.

Takimi tjetër mes Benficës e Marseilles përfundoi me fitoren e të parëve me rezultat 2:1.

Golat u shënuan nga Rafa Silva dhe Di Maria për vendasit, ndërsa Aubameyang shënoi të vetmin për skuadrën franceze.

Kujtojmë se ndeshjet kthyese zhvillohen pas një jave, ku do të mësohen skuadrat gjysmëfinaliste të Ligës së Evropës.

Lajme të ngjashme