Asnjë gol që nga gushti – a duhet të shqetësohet Real Madridi për formën e Karim Benzemas? - NACIONALE

Asnjë gol që nga gushti – a duhet të shqetësohet Real Madridi për formën e Karim Benzemas?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Carlo Ancelotti thotë se Real Madridi nuk ndihet i shqetësuar kur bëhet fjalë për Karim Benzeman, megjithëse sulmuesi francez është duke e përjetuar një rënie të dukshme të formës përballë portës.

Benzema i shënoi 44 gola në të gjitha garat sezonin e kaluar, duke i ndihmuar Real Madridit ta fitojë Ligën e Kampionëve dhe La Ligën.

Këtë sezon, sulmuesi francez e pësoi një lëndim muskulor, si pasojë e të cilit mungoi në tri ndeshje, por ai ka dështuar të shënojë gol që prej 28 gushtit, apo në katër ndeshjet e fundit.

Kapiteni i të bardhëve, 34 vjeç, nuk arriti të shënojë as në fitoren e Madridit 2:1 kundër Shakhtar Donetskit të mërkurën në Ligën e Kampionëve.

Duke folur pas ndeshjes, trajneri i Madridit Ancelotti e lavdëroi Benzeman për paraqitjen në fushë, duke shtuar se përqendrimi i tij nuk është të shohë kush është në listën e golashënuesve.

“Ai po ndihet shumë mirë dhe ishte vendimtar falë cilësive dhe pozicionimit në fushë. Ai bëri një paraqitje ekipore dhe ishte prezentë në zonën e penalltisë. Ai nuk shënoi gol, por kjo është gjëja e fundit për të cilën mendoj”, tha Ancelotti.

“Gjendja e tij është përmirësuar shumë dhe ai bëri paraqitje të kompletuar”, shtoi ai.

Derisa Benzema mund të jetë duke u përballur me vështirësi për të shkëlqyer tani për tani, loja e tij fantastike sezonin e kaluar sezonin e kaluar e ka bërë favoritin kryesor për ta fituar Topin e Artë 2022.

Përfaqësuesi i Francës do të jetë i etur ta rigjejë rrugën e golit sa më shpejt, duke ditur se edhe Kupa e Botës Katari 2022 është duke u afruar me shpejtësi.

Ai do ta këtë mundësinë të shënojë këtë të shtune, kur Real Madridi do të përballet me Getafen në La Liga.

Lajme të ngjashme