Arteta thur lëvdata për pronarët kontrovers: Familja Kroenke nga më të mirat që kam parë deri më tani në futboll
Mikel Arteta ka lavdëruar pronarët e Arsenalit, familjen Kroenke, pas fillimit të sezonit furishëm nga topçinjtë. Skuadra e trajnerit spanjoll aktualisht ka gjashtë pikë nga dy ndeshje, një nga vetëm dy skuadrat që ka rekord 100 % të fitoreve në Premier League.
Arsenali ka shpenzuar 319 milionë euro në dy verat e fundit të kombinuara, teksa përpiqet të rikthehet në top katërshen e Premierligës, duke sjellë lojtarë në skuadër si Ben White, Gabriel Jesus dhe Oleksandr Zinchenko.

Ndonëse ata e humbën hapin për shumë pak sezonin e kaluar për të kapur zonën e Ligës së Kampionëve, Arteta shpreson që ai dhe ekipi i tij të mund të shkojnë një hap më tej këtë herë, të paktën kualifikimin në grupe.
Çfarë thotë Arteta për pronarët e Arsenalit?
Arteta është veçanërisht i impresionuar me nivelin e ambicies që tregohet nga pronësia Kroenke, duke thënë në një konferencë për shtyp: "Unë mendoj se angazhimi dhe dëshira e kësaj pronësie është pa dyshim një nga më të mirat që kam parë në futboll.”
“Ata janë duke punuar shumë, duan ta çojnë këtë klub në një nivel krejtësisht tjetër. Ata kanë ambicie, dhe është e qartë, ata po na japin të gjithë mbështetjen që na nevojitet për ta pasur sukses. Pra, është mirë të shohësh gjithashtu se tani ka pak ndryshim dhe madje edhe mbështetësit tanë dhe të gjithë në mbarë botën po flasin shumë ndryshe për atë që po ndodh këtu”, thotë Arteta.

Pse familja Kroenkes janë gjykuar si kontrovers?
Arsenali ka dështuar të fitojë Premierligën ose ndonjë trofe evropian që nga blerja e parë e aksioneve të familjes Kroenke në klub në vitin 2007, duke i bërë tifozët të vënë në dyshim pronësinë dhe planet e tyre për klubin, veçanërisht pasi ata u bënë pronarë të shumicës në vitin 2018.

Polemika më e madhe me të cilën është përballur pronësia me tifozët është përfshirja e tyre në Superligën Evropiane në vitin 2021. Klubi, i cili përfundoi i teti në sezonin kur u zbuluan planet për këtë garë, ishte pjesë e një grupi klubesh të mëdha evropiane që shpallën një ligë të shkëputur nga pjesa tjetër, madje duke dalë publikisht kundër UEFA-s.
Tifozët protestuan kundër vendimit të themelimit të kësaj gare dhe përfundimisht të gjitha skuadrat, përfshirë Arsenalin u larguan, vetëm nismëtarët, pra Barcelona, Real Madridi dhe Juventusi mbetën të asaj ideje që kjo ligë duhej të vihej në funksion.
Megjithatë, kjo çështje la një njollë në marrëdhëniet që shumë nga pronarët kanë me klubet e tyre, dhe Arsenali nuk përbën përjashtim.