Arteta pas humbjes: I dua lojtarët e mi më shumë se javën e kaluar
Trajneri Mikel Arteta thotë se i do lojtarët e Arsenalit më shumë se më parë pavarësisht humbjes 1:0 ndaj Evertonit të dielën.
"Topçinjtë" pësuan vetëm humbjen e dytë këtë edicion në Premierligë, duke zhvilluar një paraqitje të zbehët ndaj Evertonit, të cilët e nisën mbarë me Sean Dyche në krye.
Sidoqoftë, pavarësisht se ishte një ndër paraqitjet me të dobëta të Arsenalit deri me tani, Arteta ka shpjeguar arsyet pse nuk arritën fitore.
"Kishim shumë topa, por nuk arritëm t'i finalizonim. Ne krijuam shumë raste. Por pastaj pësuam dhe ata nisën ta ngadalësojnë lojën dhe ne vuajtëm. Ata (Everton) e bëjnë një gjë të tillë ndaj çdo skuadre, është fuqia e tyre në lartësi. Nëse dëshironi ta kontrolloni ndeshjen duhet ta kontrolloni këtë. Ne nuk e bëmë këtë gjë sot".
"Paraqitja nuk reflekton se çfarë kemi bërë. Në 10 ose 15 minutat e fundit praktikisht pasi bëmë disa zëvendësime, ne nisëm të bëjmë ndërprerje të panevojshme dhe shumë vendime jo të mira që është e tëra çfarë donin ata".
"Sot i dua ata më shumë se javën ose muajin e kaluar. Është lehtë të flasësh mirë kur fitojnë. Jam ende shumë krenar për lojtarët e mi, ata e meritojnë".
Arsenal do të synojë të kthehet te fitorja në ndeshjen e radhës ku do të përballen me Brentfordin të shtunën.
Skuadra londineze vazhdon të qëndrojë në kreun e Premierligës me pesë pikë më shumë se Manchester City, që renditët i dyti në tabelë.
